Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, në një takim të mbajtur sot me drejtorët e Departamenteve dhe Drejtorët Vendorë të Policisë ka dhënë katër porosi. Ato ishin, zbardhja e ngjarjeve kriminale, bashkëpunimi për kapjen e personave me precedentë, bllokimi i makinave të vjedhura dhe parandalimi i aksidenteve.
Ndërsa komentonte porositë e dhënë nga Nano, Fatjon Softa, ekspert policie, u shpreh në “Radari Informativ” në ABC se këtë fillim viti krimi ka marrë hov. Kjo sipas tij, ndodh pasi individët e përfshirë në këto ngjarje i kanë “krahët e ngrohta.”
“Krimi është i sigurt për sa kohë forca zhvilluese e policisë së shtetit vijon të jetë e zbehtë. Ata veprojnë me qetësi dhe siguri…duket nga lehtësia e largimit nga vendi i ngjarjes. Largohen me mjet, të sigurt, forca e zbulimit tregon edhe efektivitetin e policisë.”
Softa shprehet se deri më sot janë parë vetëm analiza të cekëta dhe rrokada ndërsa shton ai, situata kërkon një analizë të thelluar dhe përgjegjësi.
“Lajmet merren vesh nga media, policia nuk ka dalje publike. Duhet të kemi transparencë dhe kur bëhen lëvizjet duhet të jetë të arsyetuara. Shohim vetëm rrokada, nuk shohim lëvizje vertikale, apo meritokraci.”
Eksperti theksoi se forcat e policisë duhet të fokusohen te krimi dhe jo të nxirren për të menaxhuar trafikun. Ai shton se ngjarja e rëndë e ndodhur në mes të ditës në “Don Bosko” kërkon një analizë të thelluar.
“Mjetet e vjedhura, targat e vjedhura, krimi nuk është një individ i nxituar. Por grup i sofistikuar, kanë pasur orientime për lëvizje e policisë, nëse ka pasur postblloqe. Kanë kapërcyer tre territore kontrolli… nuk kishte dron. Nuk u ngrit asnjë helikopter për të kontrolluar mjetin e larguar.”
Fatjon Softa theksoi se duhen hapen tabulatët telefonik për të parë se çfarë është komunikuar gjatë harkut kohor të vrasjes pasi thekson ai e “rëndësishme është të kuptohet thelbi i ngjarjes dhe jo vetëm të gjendet autori.” /abcnews.al/