“Urgjente”, zbulohen 4 porositë e Nanos: Zbarkojnë në terren 443 policë të rinj

schedule10:50 - 5 Janar, 2022

schedule 10:50 - 5 Janar, 2022

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano zhvilloi gjatë paradites së sotme një takim me drejtorët e Departamenteve dhe Drejtorët Vendorë të Policisë. Zyra e shtypit në Policinë e Shtetit thekson se fokus i takimit ishte marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete. Katër ishin porositë e drejtorit për policinë; zbardhja e ngjarjeve kriminale, bashkëpunimi për kapjen e personave me precedentë, bllokimi i makinave të vjedhura dhe parandalimi i aksidenteve.

Katër porositë;

-Thellimi i veprimeve hetimore, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

-Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

-Intensifikimi i kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.

-Parandalimi i aksidenteve rrugore, duke intensifikuar kontrollet me makinën inteligjente, me radarët, mjete e paloguara, ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke filluar menjëherë edhe me këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu sot fillojnë punën në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar  në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit.

Gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë do të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë Drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masave për t’i zgjidhur ato.

Mbledhja e sotme e cila ishte e para e këtij viti erdhi vetëm një ditë pas atentatit mbrëmë në Tiranë që la një të vdekur dhe katër të plagosur.

Bilanci i atentatit në Tiranë

Viktima
Erion Çela

Të plagosur
Blerim Çela 28 vjeç i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe fytyrë, vëllai i viktimës
Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë
Azbi Selimaj 19 vjeç i dëmtuar në shpatull
Edmond Crroj 41 vjeç i plagosur në bark dhe këmbë

/ Abcnews.al