“25 prilli”, PD letër KQZ: Miratoni fondin për të blerë kamerat për cdo qendër votimi

schedule11:04 - 19 Nëntor, 2020

schedule 11:04 - 19 Nëntor, 2020

Partia Demokratike përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj Gazmend Bardhi i ka dërguar një shkresë KQZ, me anë të së cilës kërkon marrjen e masave për instalimin dhe përdorimin  e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, duke miratuar fondet e nevojshme financiare për implementimin  e këtij sistemi, ashtu siç palët politike kanë rënë dakord në marrëveshjen e 5 qershorit.

Siç raporton gazetarja e “ABC” Esiona Konomi, Bardhi i është drejtuar Celibashit, si komisioneri shtetëror i KQZ, duke theksuar se ky institucion ka të drejtë të prokurojë instalimin apo edhe operimin e sistemit të videomonitorimit në rast se nuk e kryen vetë.

“Deri në këtë moment nuk rezulton që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë ndërmarrë ndonjë masë për mundësimin e aplikimit të sistemit të video monitorimit në qendrat e votimit. Në këto kushte, duke besuar plotësisht në vullnetin tuaj institucional për ushtrimin  e kësaj kompetence ligjore, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që të marrë të gjitha masat për instalimin dhe përdorimin  e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, duke miratuar sa më parë aktin normativ që e mundëson këtë, si dhe duke miratuar fondet e nevojshme financiare për implementimin  e këtij sistemi.”, thuhet në dokument.

Përpos periudhës së vështirë financiare se Buxhetit shqiptar edhe për shkak të pandemisë, zgjedhjet e 25 prillit do të jenë më të kushtueshme se të tjerat.

Kjo për faktin se KQZ-ja do të blejë pajisje të posaçme që do të bëjnë të mundur identifikimin elektronik të zgjedhësve, duke tentuar të shmanget votimi i shumëfishtë.

Ndërkohë  qeveria ka parashikuar 10 milionë dollarë në dispozicion të KQZ-së për të organizuar zgjedhjet e pranverës.

n.d./abcnews.al