Pavarësisht ndryshimit të motit gjatë orëve të fundit, pasditen e së dielës u raportua se mbi 20 fshatra janë të bllokuar nga dëbora në qarkun Kukës. Ndërkohë mbi 560 familje të tjera mbeten të izoluara në Dibër, Elbasan dhe Lezhë.
Vendi ynë vijon të ketë problematika si pasoje e motit. Në qarkun e Shkodrës si pasojë e reshjeve ka pasur një fryrje të lumenjve Drin dhe Bunë mesatarisht rreth 30 cm. Sipas ministrisë së mbrojtjes 70-90 hektarë toke në Ana e Malit dhe në Bërdicë kanë prani uji, por nuk ka patur përmbytje në banesa dhe në rrugë. Në aksin rrugor rural Barbullush-Mabe është dëmtuar ura prej betoni që lidh këto dy fshatra.
Ne qarkun e Kukësit lartësia e dëborës në Qafë Shllak dhe Valbonë ka arritur rreth 50 cm. Aksi rrugor Bajram Curri-Valbonë si pasojë e rënies së inerteve dhe gurëve të mëdhenj në trupin e rrugës aktualisht është i kalueshëm me një korsi. Aktualisht nga reshjet e dëborës janë të izoluar 12 fshatra të bashkisë Kukës dhe 8 fshatra të bashkisë Tropojë, të cilët në total kanë 1928 banorë.
Në qarkun e Dibrës të gjitha akset rrugore kombëtare janë të gjitha të kalueshme.
Në Njësinë Administrative Arras, bashkia Dibër, rrezikohet të shembet një banesë nga rrëshqitja e tokës për shkak te reshjeve të mëdha të shiut. Janë marrë masa nga bashkia duke larguar familjet për të mos rrezikuar jetën e tyre. Nga reshjet e dëborës aktualisht janë të bllokuara 30 familje në Xibër dhe në bashkinë Bulqizë.
Ndërsa në qarkun e Lezhës përllogatriten që rreth 50 familje janë të izoluara kryesisht në Njësitë Administrative Fan, Selitë dhe Orosh.
Në qarkun e Elbasanit rreth 480 familje rezultojnë sipas ministrisë së Mbrojtjes të izoluara nga dëbora. Në fshatin Cerrujë të bashkisë Elbasan, ka pasur një rrëshqitje masive toke. Kjo ka bërë që të rrezikohen disa banesa./abcnews.al