Katër aksidente rrugore, dy prej tyre me pasoja fatale, janë regjistruar gjatë orëve të fundit në vend.
Një prej aksidenteve më të rënda ndodhi në një aks rural që lidh fshatin Bilaj me pjesën tjetër të Fushë-Krujës.
Dy automjete, një Volkswagen dhe një Benz, u përplasën me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes humbi jetën drejtuesi i Volkswagen-it, Viktor Doda, banor i zonës.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte drejtuesi i automjetit tjetër, Kristjan Laska, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.
Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Portin e Durrësit, pranë terminalit të kamionëve në zonën e skanerit. Viktima është 62-vjeçari nga Kosova, Nexhmedin Shabani. Ai kishte ndaluar kamionin dhe po priste në radhë për kontroll, kur u godit nga një tjetër mjet i tonazhit të rëndë që drejtohej nga një 49-vjeçar nga Berati. Shabani u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, në Korçë një aksident u regjistrua në lagjen 10, në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”. Një automjet përplasi një karrocë me një fëmijë një vjeç e gjysmë, ndërsa nëna po kalonte rrugën. Drejtuesi i mjetit e transportoi menjëherë të miturin në Urgjencën e Spitalit të Korçës. Sipas mjekëve, fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Vetëm pak orë më pas, një tjetër përplasje ndodhi në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj.
Dy automjete, një me targa greke dhe një me targa italiane, u përfshinë në aksident pasi drejtuesi i mjetit me targa greke tentoi një parakalim të gabuar. Si pasojë, automjeti tjetër përfundoi në kanal. Tre personat që udhëtonin në të, dy bashkëshortë dhe djali i tyre i rritur, u dërguan me urgjencë në Spitalin e Lushnjës.
Policia vijon ende punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa po monitoron edhe trafikun, i cili në këtë zonë është i ngarkuar.



