1 metër ujë në shkollën “Sabaudin Gabrani”

schedule15:01 - 24 Shtator, 2019

schedule 15:01 - 24 Shtator, 2019

Ka qenë e pamundur nisja e mësimit për 3 shkolla në kryeqytet, për shkak të pranisë së ujit në ambientet e tyre nga reshjet e një nate më parë. ABC News pa nga afër situatën në 2 shkolla.

E marta duhej të ishte dita e rifillimit të mësimit edhe në Tiranë pas ndërprerjes një ditore të së hënës, dhënë nga Ministria e Arsimit, për shkak të efekteve emocionale të tërmetit. Por reshjet e dendura të shiut gjatë natës e pamundësuan nisjen e mësimit për të paktën 3 shkolla në Qarkun e Tiranës.

Niveli i ujit në pjesën e pasme të shkollës është rreth 1 metër, ndërsa në oborrin e përparmë, rreth 50 centimetra. Një mijë nxënësit e kësaj shkolle janë njoftuar herët për pezullimin e mësimit, i cili pritet të rifillojë nesër.

Më e vështirë paraqitet situata në një tjetër shkollë në Yzberisht. Siç shihet edhe nga pamjet, në këtë shkollë për shkak të pranisë së ujit, janë dëmtuar mjetet shkollore. Sipas ministrisë, mësimi fillon të mërkurën edhe në dy shkollat e tjera të kryeqytetit në Lalm dhe në Tufinë./ABC News Albania 24/7