Zhvendosja e eshtrave të Shën Joan Vladimirit, reagon “trashëgimia”

schedule16:44 - 19 Janar, 2022

schedule 16:44 - 19 Janar, 2022

Kisha Autoqefale Ortodokse që prej vitit 2009 ka bërë kërkesë për rikthimin e Eshtrave të Shën Joan Vladimirit përjetësisht.

Objektet e rralla janë pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar që prej vitit 2004. Sipas Drejtorit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Sokol Muca ekziston edhe një marrëveshje asokohe, e cila nuk është zbatuar pasi ka pasur mungesë ligjore.

Kërkesa e fundit e kishës drejtuar drejtorit te muzeut Dorin Koci është e datës 23 shkurt 2021. Ky i fundit ka ngritur një komision dhe i ka propozuar ministres zhvendosjen e objekteve të rralla të fondit muzeal për një periudhë 5-vjeçare siç e tregojnë edhe dokumentet.

Sokola Muça Drejtorit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore thotë se propozimi i muzeut është shqyrtuar nga specialistët dhe më pas është firmosur urdhri për zhvendosjen e përkohshme të lipsaneve nga ministrja Elva Mragariti dhe 4 zyrtarë të tjerë në ministri.

Në dokumentin e datës 25 mars  rezulton se zoti Gjet Ndoj Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Zhvillimore nuk ka firmosur, ai denoncoi një ditë më parë edhe largimin e tij nga puna për këtë fakt.

Ndërkohë që në dokument mungon edhe firma e drejtores Elira Dani, por sipas Muçës për arsye shëndetësore e ka konfirmuar miratimin e saj me email.

Në marrëveshjen mes kishës dhe muzeut janë përcaktuar afatet kohore prej 5 vitesh për ekspozim,  ku theksohet edhe e drejta e rinovimit. Ky është afati më i gjatë kohor i daljes së një artefakti nga fondi muzeal. Por drejtori i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore  garanton kthimin e tyre brenda  afatit.

Lipsanet sipas specialistit, ekspozohen brenda parametrave muzealë dhe mbikqyren nga institucionet kulturore. Eshtrat e Shën Joan Vladimirit  që prej datës 12 prill janë zhvendosur në manastirin e Elbasanit që mban emrin e shenjtorit. /abcnews.al/