Zgjedhjet në Kosovë “shok” për LVV, analistët: Maturim politik i votuesve, mesazh pozitiv për opozitën

schedule14:18 - 18 Tetor, 2021

schedule 14:18 - 18 Tetor, 2021

Në këto zgjedhje lokale Lëvizja Vetëvendosje që aktualisht qeveris vendin pësoi një “shok elektoral”. Në raundin e parë të zgjedhjeve kjo parti nuk asnjë komunë të fituar, ndërsa në raundin e dytë që do të zhvillohet në nëntor kryeson në vetëm një komunë.

Këto rezultate për analistin nga Kosova Ardian Arifaj tregojnë një maturim elektoral të qytetarëve të Kosovës ndërsa gara sipas tij bëhet më e shëndetshme pasi partitë janë në kushte të barabarta. Rezultatet e deritanishme janë një mesazh edhe për partitë e tjera opozitare që tashmë kanë rifituar sërish terren.

“Interesantë janë edhe numrat për kuvendet komunale, LVV del e barabartë me PDK dhe LDK,” tha ai në “Abc Live” me Juli Xhokaxhi.

Tashmë partisë qeverisëse, sipas analistit, i mbetet që të analizojë se përse e ka humbur kaq shpejt besimin e votueseve. Kurse, për dy partitë e tjera opozitare votat kanë treguar një konfirmim të lidershipit të ri.

Por çfarë do të ndodhë në raundin e dytë të garës?

Analisti Ardian Arifaj, duke komentuar mundësinë e koalicioneve, thotë se VV në diskursin e saj gjatë fushatës ka qenë shumë përjashtuese për mundësinë e bashkëpunimit me parti të tjera.

“Kurse PDK dhe LDK edhe pse janë kundërshtarë kanë një traditë bashkëpunimi kur kanë pasur interes. Mund edhe të ndihmojnë njëra-tjetrën.”

Në të njëjtën ditë zgjedhje lokale u mbajtën edhe në Maqedoninë e Veriut vendi fqinj që ka një sistem zgjedhor gati të njëjtë me Kosovën.

Analisti Xhelal Neziri tha se deri më tani ka një tendencë të rënies së besimit ndaj kryeministrit Zoran Zaev. Ndryshe nga Kosova, sipas tij, në Maqedoninë e Veriut në balotazh fitojnë ata që kanë kapacitet më të madh për të bërë koalicione.

“Në raundin e dytë, në komunat e përziera vendosin etnitë që janë pakicë. Kjo i bën partitë të ndërvarura…” /abcnews.al/