Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zgjedhjet në Izrael, kryeson…Netanyahu/ Numërohen mbi 85 përqind të votave, merr 53 mandate, por nuk arrin shumicën

schedule18:06 - 28 Tetor, 2026

schedule 18:06 - 28 Tetor, 2026

Numërimi i votave në Izrael është drejt fundit dhe, me më shumë se 85% të fletëvotimeve të numëruara, vendi duket se po shkon drejt një ngërçi politik. Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen të enjten, por tashmë është e qartë se as kryeministri Benjamin Netanyahu dhe as rivali i tij kryesor, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, nuk do të arrijnë të sigurojnë 61 mandatet e nevojshme për të krijuar shumicën qeverisëse në parlamentin izraelit, Knesset, i cili ka gjithsej 120 vende.

Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka akuzuar partitë arabe për manipulim të zgjedhjeve, duke pretenduar se janë përdorur ryshfete, kërcënime, dhunë dhe falsifikime për të ndikuar te votuesit.

“Zgjedhjet u vodhën nga partitë arabe që mbështesin terrorizmin dhe zhdukjen e shtetit hebre, përmes veprave të rënda penale, si korrupsioni, kërcënimet, dhuna, falsifikimi dhe përdorimi i programeve të ndaluara për të nxitur votuesit”, thuhet në deklaratën e Likud.



Akuzat vijnë në një moment kur rezultatet e zgjedhjeve nuk i japin shumicën asnjërit prej dy blloqeve kryesore politike.

Pas numërimit të votave të hedhura në qendrat e votimit, blloku i Netanyahut ka siguruar 53 mandate, ai i Eisenkot 48, ndërsa partitë arabe 19. Këto vota përfaqësojnë rreth 86% të totalit.

Ndërkohë, mbeten për t’u numëruar votat e hedhura përmes sistemit të ashtuquajtur të “zarfeve të dyfishta”, që përdoret kryesisht nga ushtarët, rezervistët, diplomatët jashtë vendit dhe kategori të tjera votuesish.

Sipas të dhënave më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të raportuara nga BBC, numri i këtyre votave vlerësohet nga 430 mijë deri në 480 mijë, më pak se 600 mijë që ishte parashikuar fillimisht. Numërimi i tyre pritet të përfundojë të enjten pasdite.

Nga ana tjetër, Netanyahu ka përjashtuar mundësinë e formimit të një qeverie me pjesëmarrjen e partive arabe.

“Nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, deklaroi ai, duke akuzuar kundërshtarët politikë se synojnë të krijojnë një qeveri me mbështetjen e përfaqësuesve arabë.

Në këtë situatë, presidenti izraelit Isaac Herzog ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisë konsultimet me partitë parlamentare për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë së re.

“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur zgjedhje të tjera. Pres që kushdo që vjen këtu për konsultime të vijë me mendje të hapur”, deklaroi Herzog.

Rezultati i zgjedhjeve ka nxjerrë në pah edhe peshën e partive arabe, të cilat kanë siguruar 19 mandate sipas rezultateve të deritanishme dhe mund të luajnë rol në përpjekjet për krijimin e një shumice parlamentare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!