Zgjedhjet dhe strategjia, Basha në Kryesi: Ejani të bashkohemi, do të kemi platforma politike

schedule12:39 - 18 Qershor, 2021

schedule 12:39 - 18 Qershor, 2021

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike. Kreu i PD-së Lulzim Basha, gjatë këtij takimi deklaroi se demokratët u treguan të vendosur të vazhdojnë betejën për demokraci.

Gjithashtu, kryedemokrati është shprehur se do të thellojë aleancën me shoqërinë, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve për t’u bërë bashkë deri në rrëzimin e regjimit armik të demokracisë.

Lexo edhe: PD mbledh Kuvendin, zbardhen tre pikat, Basha largon Nishanin

Më tej ai theksoi se PD ka një mision të madh, pasi synon që të bëhet zëri i çdo shqiptari, duke shtuar se do të ketë edhe platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe përfaqësim sa më të denjë.

“Muajt në vijim do të jenë të vrullshëm, sepse e tillë është beteja që na pret. Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, çdo ditë që nuk përdoret për përsosjen e PD, është një ditë pushtetit që i dhurojmë armikut të demokracisë.

Shqiptarët na dhanë një fuqi edhe më të madhe në 25 prill, demokratët mbështetën vizionin që ju parashtrova gjatë kësaj gare, ndaj detyra jonë është t’i përgjigjemi kësaj mbështetje të shqiptarëve dhe demokratëve duke treguar që jemi dhe do të mbetemi një parti e shoqërisë, një parti e hapur.

Ndaj detyra ime është që në përgjigje të kësaj mbështetje shoqërore që morëm, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më të hapur edhe më pranë shoqërisë, t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit shoqërisë  dhe t’iu them ejani ta ndryshojmë bashkë këtë realitet, ejani ta rrëzojmë bashkë këtë regjim armik të demokracisë, ejani në PD dhe ta ndërtojmë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin! Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata me shume ne vendimmarrje.

Kjo është detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka përcaktuar qartë aleancën e tij, atë me krimin dhe oligarkinë, ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresën e vetme për realizimin e tyre. Ne e kemi bërë këtë përpara 25 prillit, ne do ta vazhdojmë edhe e më tej duke u bërë zëri i çdo shqiptari.

Do të kemi platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe po ashtu do të mundësojmë nëpërmjet iniciativave ligjore ndryshime që të mundësojnë përfaqësim më të mirë, më të denjë dhe më demokratike. Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë, përgjegjësia dhe misioni ynë mbetet shërbimi ndaj njerëzve për të sjellë liri dhe demokraci për të gjithë, në këto ditë të vështira për vendin, kjo arrihet vetëm duke i përfshirë edhe më shumë njerëzit, duke i dhënë zë më të fortë rolit të tyre në parti dhe në shoqëri. Ky duhet të jetë synimi ynë dhe bashkë, demokratë dhe qytetarë të thjeshtë, do ta bëjmë realitet”, është shprehur lideri i opozitës.

Sipas Bashës mbështetësit e PD-së janë të vetëdijshëm se sa e vështirë është përballja me regjimin, duke shtuar se tani çdo hap do të ketë për qëllim vazhdimin e betejës me të gjitha format dhe se Partia Demokratike është e gatshme për të kryer detyrën e saj për përmbysjen e regjimit një orë e parë.

“Është e domosdoshme që të gjithë ne, nga Kryesia te Këshilli kombëtar, të lexojmë qartë atë që ishte vullneti i demokratëve.  Ata e dinë më mirë se ne se çfarë ka ndodhur në 25 prill, ata e dinë më mirë se ne se sa e vështirë është përballja me regjimin.

Ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës.

Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025”, ka deklaruar Basha./i.k/abcnews.al/