Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i shesin Ukrainës 5% të rezervës së tyre të raketave interceptuese për sistemet “Patriot” duke argumentuar se kjo do ta ndihmonte vendin të përballonte sulmet ajrore ruse gjatë dimrit.
“Nëse amerikanët na shesin 5% raketa interceptuese “PAC-3” dhe asgjë tjetër, ne do ta përballojmë dimrin dhe do të shpëtojmë jetë”, shkroi Zelensky në Telegram.
Sipas tij, deri tani Ukrainës i është vënë në dispozicion vetëm rreth 1% e kësaj rezerve amerikane.
Presidenti Zelensky tha se nëse SHBA-ja do t’i jepte Ukrainës 10% të rezervave, forcat ukrainase do të ishin në gjendje të asgjësonin raketat balistike ruse.
Presidenti ukrainas ka paralajmëruar vazhdimisht se vendi i tij po përballet me vështirësi në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa.
Sipas Zelenskyt, Ukraina këtë vit ka dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese sesa kishte në vitin 2025.
Ndërkohë, Rusia ka rritur prodhimin e raketave balistike. Moska po shfrytëzon dobësimin e mbrojtjes ajrore ukrainase për të shtuar përdorimin e këtyre raketave.


