Vllaznia i ofron rinovimin zbulimit Isaevski, e “josh” edhe Shkëndija

schedule14:58 - 16 Prill, 2021

schedule 14:58 - 16 Prill, 2021

Aleksandar Isaevksi është një nga prurjet e goditura të Vllaznisë, që sivjet ka surprizuar dhe është në garë për titullin kampion. Mbrojtësi i majtë ka dhënë një kontribut të vyer në rezultatet e skuadrës kuqeblu dhe drejtuesit shkodranë nuk kanë humbur kohë, duke i propozuar nënshkrimin e një kontrate të re.

25-vjeçari nga Maqedonia e Veriut kishte firmosur për një sezon në fillim dhe tani Vllaznia duhet ta bindë me propozimin e bërë. Oferta e bërë deri më tani është e kënaqshme, por Isaevski nuk kërkon të nxitohet. Për të ka pasur interesim edhe nga klubet jashtë Superiores dhe abcnews.al mëson se Shkëndija e Tetovës ia ka bërë një propozim.

Mbrojtësit i është ofruar një parakontratë dhe po mendohet, si për çdo ofertë tjetër. Gjithsesi fokusi kryesor është mbyllja e sezonit me Vllazninë dhe fakti që del lojtar i lirë i krijon atij gjithë komoditetin e nevojshëm për të zgjedhur se ku do ta vijojë karrierën. Në të shkuarën ka luajtur edhe në Bullgari e në Maqedoninë e Veriut.

 

Vllaznia normalisht e pret një përgjigje prej tij, pasi i duhet të mendojë për skuadrën e sezonit të ardhshëm dhe për kupat e Europës, që janë shumë pranë. Deri më tani në Shkodër kanë rinovuar me Ardit Hoxhajn, Erdenis Gurishtën dhe Arsid Krujën. Pritet që shumë shpejt të ketë të tjera lëvizje, sidomos me pjesën e nënshkrimit të kontratave të reja me ata lojtarë që po spikatin këtë sezon. /abcnews.al