VIDEO/ Urimet e para vijnë nga “armiqtë”, festë e çmendur e tifozëve të Interit

schedule18:50 - 2 Maj, 2021

schedule 18:50 - 2 Maj, 2021

Juventusi dëshironte titullin e dhjetë radhazi, por zhvilloi një sezon tepër të dobët dhe Interi e rrëzoi nga froni. Antonio Conte pati durim, përballoi shumë kritika dhe ia doli të ndërtojë një makineri të frikshme në Serie A.

Faza e dytë ishte fenomenale dhe Interi u shpall sot kampionë Italie, katër javë përpara fundit të sezonit. Titulli i 19-të në histori, një më shumë se kuqezinjtë e Milanit, teksa trofeu i madh mungonte prej 11 vitesh në Milanon zikaltër.

Urime Interit për fitimin e kampionatit 2020/2021“, lexohet në postimin e Juventusit në Twitter. Një urim për homologun e tij ka shkruar edhe Andrea Agnelli, presidenti i bardhezinjve. “Bravo Steven. Jam i lumtur për ty, krenar që jam kundërshtar i ndershëm në fushë dhe mik jashtë saj.

Ne do të kthehemi“, shkruan Agnelli për Steven Zhang, kreun e klubit zikaltër. Lojtarët e Interit kanë shpërthyer në komente në rrjetet sociale sapo përfundoi takimi Sassuolo-Atalanta. Rezultati 1-1 shpalli ekipin e Contes kampion që ditën e sotme.

Tifozët e Interit, të cilët e prisnin këtë festë prej më shumë se një dekade, kanë zbarkuar në sheshin Duomo. Festë, thirrje për ekipin e zemrës, teksa nuk mungoi edhe kori i famshëm “kush nuk kërcen është kuqezi“, duke iu referuar “armiqve” të Milanit. /abcnews.al