VIDEO/ Tottenham nuk pyet për Leeds United, e nis me “tris” vitin

schedule15:29 - 2 Janar, 2021

schedule 15:29 - 2 Janar, 2021

Kishte vërtet katër ndeshje që nuk fitonte, por kur ia doli e bëri në mënyrë madhështore. Tottenham  triumfoi 3-0 ndaj Leeds United në Premier League, duke lënë pas problemet e javëve të fundit e duke iu afruar sërish kreut të renditjes.

Dyshja e sulmit, Harry Kane-Son Heung-Min ishte vendimtare edhe këtë herë, duke shënuar dy nga golat. Kapiteni i Anglisë realizoi me penallti në minutën e 29-të, ndërsa koreanojugori realizoi dy minuta para fundit të pjesës së parë.

Dyshja e sulmit ka realizuar së bashku 13 gola këtë sezon, më shumë sesa çdo dyshe tjetër në Premier, ndërsa Son arriti në kuotën 100 për Totenhemin në çdo konkurrim.

Pas pushimit, rrjeta e tretë erdhi nga mbrojtësi Alderveireld. Një sukses i tillë, me lojë të menduar mirë dhe me saktësi në sulm, tregoi se skuadra e Mourinho mbetet një nga më seriozet këtë edicion.

Gjithsesi, Leeds duket se ishte viktimë e preferuar e skemave të kundërsulmit të trajnerit portugez, pasi skuadra e Marselo Bielsës njihet për lojën sulmuese, me pak theks në mbrojtje.

Murinjo lavdëroi dy sulmuesit e tij dhe deklaroi se nuk i ndan kundërshtarët në të fortë apo të dobët, duke vlerësuar rivalin e radhës, Aston Villan. Tottenham ka tani 29 pikë, vetëm 4 më pak sesa dy kryesuesit, Liverpool e Manchester United, duke qenë plotësisht në garë për trofeun. /abcnews.al