VIDEO/ “Manita” e Manchester City, Atletico triumfon me përmbysje në Spanjë

schedule20:57 - 10 Mars, 2021

schedule 20:57 - 10 Mars, 2021

Manchester City rikthehet te fitorja në kampionat pas humbjes në derbi dhe vazhdon të marshojë drejt titullit kampion. Sukses i rëndësishëm edhe për Atletico Madrid në La Liga, me kryesuesit e Diego Simones që e ka çuar në +6 pikë diferencën me Barcelonën ndjekëse.

Ekipi i Pep Guardiolës nuk u përmbajt aspak në takimin shtëpiak kundër Southampton. “Cityzens” fituan 5-2 dhe tani numërojnë 68 pikë, 14 më shumë se United i vendit të dytë (ka luajtur një ndeshje më pak).

Kevin De Bruyne dhe Riyad Mahrez realizuan nga një dygolësh, teksa “manita” u kompletua nga rrjeta e Ilkay Gundogan. Mesfushori gjerman po zhvillon një sezon fantastik, i sotmi ishte goli i 12-të sezonal në Premier, duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit.

Ward-Prowse dhe Adams e bënë pak më të hidhur humbjen për “Shenjtorët” me golat e shënuar. Atletico Madrid kaloi një test të vështirë në “Wanda Metropolitana”. Skuadra e Simeones fitoi 2-1 me përmbysje përballë Athletic Bilbao.

Iker Munian kaloi baskët në avantazh në minutën e 21-të, por Marco Llorente riktheu baraspeshën me golin me kokë në minutat shtesë të pjesës së parë. Golin e fitores e realizoi Luis Suarez. “El Pistolero” ktheu në gol një penallti në minutën e 51-të, duke i dhuruar ekipit të tij tre pikë fantastike. /abcnews.al