VIDEO/ Hygor çmend shkodranët me eurogol, Flamurtari “pikiatë”

schedule15:52 - 21 Janar, 2020

schedule 15:52 - 21 Janar, 2020

Vllaznia ka bërë detyrën me Flamurtarin, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0. Një ndeshje e dominuar në total, por pa shumë raste të rrezikshme. Gjithçka u zhbllokua pas një penalltie, për një faull të Muçollarit në dëm të Malotës.

Kapiteni Gilman Lika shënoi dhe e çoi Vllazninë në dhomat e zhveshjes të qetë. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe rrezikshmëria e vlonjatëve në kundërsulmet e tyre. Gjithsesi vlonjatët nuk ia dolën të shënojnë dot.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo, me shkodranët që komandojnë dhe kërkojnë golin e qetësisë. Trajneri Jonuz nuk u kursye dhe bëri disa zëvendësime dhe nga stoli i erdhi goli i qetësisë, madje në mënyrë spektakolare.

Hygor, me një lëvizje akrobatike mposhti portierin Moçka për të dytën herë dhe e qetësoi Vllazninë, që mori tre pikë të arta dhe pret që skuadrat që luftojnë për Europën të gabojnë dhe diferenca me to të zvogëlohet. Sa i takon Flamurtarit, mbetet në vendin e fundit me vetëm 6 pikë.

VLLAZNIA-FLAMURTARI 2-0
Shënues: Lika 38′ pen., Hygor 83′

Formacioni i Vllaznisë: Sherri, Gligorov, Shehi, Malota, Marku, Gurishta, Ramadani (Adili 65′), Bardulla (Hygor 58′), Lika, Shtubina, Hristov (Zogaj 70′). Trajner: Mirsad Jonuz

Formacioni i Flamurtarit: Moçka, Gocaj, Pjeshka, Muçollari (Gjipali 86′), Haruni (Elmazaj 86′),  Rrapaj (Llapi 69′), Vrapi, K. Nebihu, Kreshpa , Hoxhaj, Ribaj. Trajner: Dritan Resuli

Kartonë të verdhë: Shehi 41′, Malota 72’/ Pjeshka 62’/abcnews.al