VIDEO/ Fitore tenistike për Atleticon, magjiku Suarez debuton me dy gola

schedule17:59 - 27 Shtator, 2020

schedule 17:59 - 27 Shtator, 2020

Atletico Madrid e nis në mënyrë fantastike sezonin e ri në La Liga. Djemtë e Diego Simeonës mposhtën 6-1 Granadën në “Wanda Metropolitana”. Debutim fantastik për Luis Suarez, të cilit i mjaftuan 15 minuta për të gjetur golin e parë me ekipin e ri.

Diego Costa (me kokë) zhbllokoi sfidën në minutën e 9-të. Vendasit fituan një penallti shtatë minuta më vonë, por goditja e Saul Niguez u prit nga portieri mik. Pjesa e parë nuk dhuroi më gola, ndërsa e dyta ishte e mbushur me spektakël dhe emocione.

Angel Correa dyfishoi në fillimin e pjesës së dytë. Gol edhe për Joao Felix, teksa Simeone hedh në fushë Luis Suarez në minutën e 70-të. “El Pistolero” e nis me një asist, i mjaftojnë dy minuta për t’i dhuruar një top Marcos Llorente dhe 4-0 për Atleticon.

Pesë minuta nga fundi vjen edhe goli për bomberin uruguaian, i cili realizon me kokë pas krosit të Llorentes. Miqtë gjejnë golin e nderit me anë të Molinas, para se Suarez të dërgojë sërish topin në rrjetë.

Golat e ATLETICO MADRID-GRANADA

Minuta e tretë shtesë, 33-vjeçari godet fluturimthi, topi në shtyllë dhe pasi rikthehet te Suarez përfundon në rrjetë. Fitore tenistike për “Colchoneros” dhe debutim magjik për sulmuesin e ri të ekipit spanjoll.

NDESHJET E TJERA – Alaves-Getafe ishte e vetmja përballje që u mbyll pa fitues. Kjo sfidë përfundoi 0-0, kurse Levante dhe Athletic Bilbao festuan në transferta. Ekipi nga Valencia fitoi 1-3, edhe pse Roberto Torres i Osasuna shënoi i pari.

Melero barazoi shifra, kurse Roger e përmbysi. Më parë sulmuesi nuk kishte shënuar me penallti. Llogaritë e kësaj ndeshje i mbylli Morales, ndërkohë që nuk mungoi në fushë nga fillimi edhe shqiptari Enis Bardhi.

Festë për baskët e Athletic Bilbao, që triumfuan 1-2 kundër Eibar. Kike shënoi për vendasit, por goli i tij nuk kishte vlerë. Miqtë iu falën Unai Lopez, që realizoi dy herë dhe i dha tre pikët skuadrës së tij. /abcnews.al