Policia e Tiranës ka finalizuar gjatë 24 orëve të fundit dy operacione të koduara kundër armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga tre persona dhe duke sekuestruar armë zjarri e qindra fishekë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, operacionet u zhvilluan me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që posedojnë ose dyshohet se tregtojnë armë zjarri, duke përbërë rrezik për sigurinë publike.
Në kuadër të operacionit të koduar “Shenja”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestuan shtetasit Shendi Sata 31 vjeç, dhe Shemsi Shaljani 43 vjeç.
Dy personat u kapën duke lëvizur me automjet në Rrugën e Dibrës. Gjatë kontrollit, 31-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë së bashku me municion. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 43-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit të koduar “Kodra”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin , Fatbardh Hyka 69 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Kodër Kashar, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me municion, një armë gjahu dhe 112 fishekë, të cilat dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale për të tre të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.



