VIDEO/ Derbi i kryeqytetit vishet i kuq, Çinari bën ligjin pas rikthimit

schedule19:56 - 21 Janar, 2021

schedule 19:56 - 21 Janar, 2021

Partizani i bashkohet Teutës në ndjekje të Vllaznisë, pasi ka mposhtur në derbi Tiranën kampione në fuqi. U desh rikthimi i Erald Çinarit, pas gjashtë muajsh, për t’i dhënë fitoren të kuqve. Shkodrani realizoi në fundin e ndeshjes, duke shtangur bardheblutë.

Një goditje e rëndë për Tiranën, që tashmë numëron 20 pikë më pak se Vllaznia kryesuese. 25 herë kampionët e vendit e nisën me një sinjal të fortë me Seferin, por portieri Alban Hoxha ishte në gatishmëri. Sulmuesi nga Kumanova iu afrua goli edhe në një moment tjetër, por ishte i pasaktë në goditje.

Në pjesën e parë Partizani rrezikoi dy herë me brazilianin William Cordeiro, kurse në një rast tjetër Asani nuk gjeti kuadratin. 0-0 fraksioni i parë i lojës, ndërsa pjesa e dytë nisi me dy kartonë të kuq që do të komentohet gjatë. Jurgen Bardhi dhe Idriz Batha u ndëshkuan nga Enea Jorgji me kartonët e dytë të verdhë.

Loja e zëvendësimeve nisi rreth minutës së 70-të dhe karta Çinari e Ilir Dajës rezultoi fituese. Shkodrani, i cili e ka ndëshkuar disa herë Tiranën, e bëri diçka të tillë sërish dhe ndëshkoi portierin Visar Bekaj në minutën e 83-të. Një gol i thjeshtë, por i mjaftueshëm për ta veshur derbin të kuq. /abcnews.al

PARTIZANI-TIRANA 1-0
Shënues:
Çinari 83′

PARTIZANI (4-3-3): Hoxha; Mala, Belica, Bitri, Hakaj; Murataj, Broja, Cordeiro (Stenio Junior 68′); Asani (Çinari 79′), Solomon (Cara 68′), Bardhi. Trajner: Ilir Daja.

TIRANA (3-4-1-2): Bekaj; Toshevski, Hoxhallari (Sasraku 82′), Najdovski; Halili (Kuka 68′), Toli, Batha, Ismajlgeci; Torassa (Vrapi 82′); Muçi, Seferi (Danso 68′). Trajner: Nevil Dede.

Kartonë të verdhë: Bardhi 29′, 51′ Cordeiro 34′, Solomon 37′ / Batha 29′, 56′ Hoxhallari 44′
Kartonë të kuq: Bardhi 51′ (2v) / Batha 56′ (2v)

 

Renditja

83′ Erald Çinari realizon për Partizanin. Shkodrani nuk fali brenda zone, duke ndëshkuar portierin Visar Bekaj

51′ Jurgen Bardhi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Partizanin me një lojtar më pak. E njëjta gjë ndodhi me Bathën 5 minuta më pas

37′ William Cordeiro kishte mundësinë të kalonte Partizanin në epërsi, por ishte i pasaktë para portierit Bekaj.

36′  Seferi kishte një mundësi shënimi. Sulmuesi shmangu portierin dhe goditi jashtë, duke mos arritur të realizojë.

20′ William Cordeiro, braziliani i Partizanit, vuri në provë portierin Visar Bekaj. Dardani e ndaloi topin e goditur nga futbollisti i të kuqve

1′ Taulant Seferi dha sinjalin e parë, duke goditur fort drejt portë së Partizanit. Portieri Alban Hoxha reagon në kohë dhe shmang golin