Vettingu/ Hodaj: 13 mijë punonjës të policisë do t’i nënshtrohen procesit

schedule17:03 - 7 Shkurt, 2018

schedule 17:03 - 7 Shkurt, 2018

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin e njohur si Vettingu për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, tha se pasuria e 13 mijë punonjësve të këtyre institucioneve do të verifikohet nëse e justifikojnë burimin e të ardhurave të tyre.

13 mijë policë do t’i nënshtrohen Vettingut. Kjo nuk ka të bëjë me procesin e fshesës sqaron numri dy i Ministrisë së Brendshme, Julian Hodaj.

Julian Hodaj: “Vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar”.

Drafti është hartuar në bashkëpunim me misionet që asistojnë Policinë e shtetit, Pameca dhe Icitap. Në të përjashtohet pjesëmarrja e Ministrisë së Brendshme në procesin e vlerësimit.

Julian Hodaj: “Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut”.

Projektligji “Për vlerësimin kalimtar të policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat” është miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave./abcnews.al