Socialistët dhe demokratët janë bashkuar në përmbajtjen e projektrezolutës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nënkryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Romina Kuko, tha në Real Story se në kontekstin aktual është “vetëvrasje politike” të jesh kundër integrimit. Ajo theksoi se vendi ndodhet përpara një avancimi të rëndësishëm dhe se mungesa e kompromisit politik do të përbënte një “autogol të madh”.
Sipas saj, vota e përbashkët i shërben Shqipërisë dhe vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm dhe oportun për vendimmarrje.
“Nuk ishte e lehtë të arrinim në një konkluzion, por sapo vendosëm linjat kryesore të diskutimit. Në momentin ku ndodhemi, është vetëvrasje politike të jesh kundër integrimit, pas mbylljes së IBAR hapim libër të ri, 101 pikat. Po flasim për një avancim të madh, të dalësh kundër dhe të mos kesh kompromis politik do bënte autogol të madh. Duhet të jesh shurdh politik për të mos kuptuar imperativin e kohës. Kjo votë e përbashkët i shërben Shqipërisë. Jemi në një moment oportun.”


