Veseli: Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës që të hyjë në BE

schedule13:12 - 11 Shkurt, 2018

schedule 13:12 - 11 Shkurt, 2018

Në një intervistë për mediat kroate, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kërkoi nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, ky veprim do të ndihmojë procesin eurointegrues të të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka dhënë një intervistë për agjensinë kroate të lajmeve, HINA. Ai ka folur për dialogun me Serbinë, Gjykatën Speciale, Ushtrinë dhe vrasjen e Oliver Ivanoviç. Veseli nënvizoi se Kosova dhe Serbia duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, pasi është një kusht për integrimin europian për dy vendet, që u përcaktua edhe nga Strategjia e Zgjerimit të BE-së.

“Nuk është e arsyeshme që politikanët e moderuar në Serbi të mos jenë në gjendje ta njohin realitetin dhe pavarësinë e Kosovës”, tha kryeparlamentari për HINA. Sa i përket Gjykatës Speciale, ai nënvizoi se Kosova do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare.

Më tej ripërsëriti se ushtria do të formohet. “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe transformimi i forcave të armatosura është proces i pashmangshëm”, ripërsëriti kryeparlamentari.
Ndërsa për vrasjen e politikanit serb theksoi se ishte “llogari e brendshme serbe”. “Ky ishte një akt kriminal kundër stabilitetit të Kosovës, pavarësisht se kush e ka kryer. Kjo është hera e parë që situata shkakton terror psikologjik të serbëve. Unë nuk paragjykoj se kush është përgjegjës, por kjo nuk është në interes të shqiptarëve dhe serbëve”, shtoi kryetari i PDK-së.

Veseli premton se Kosova do t’i dërgojë para drejtësisë autorët e kësaj vepre./abcnews.al