“Venecia” përplas palët, Presidenca: Nuk u shkel Kushtetuta

schedule19:36 - 11 Tetor, 2019

schedule 19:36 - 11 Tetor, 2019

Presidenca reagoi pas rekomandimit përfundimtar të Venecias duke nënvizuar se në raport thuhet qe Meta pati qëllim të zgjidhte krizën kur anuloi datën e zgjedhjeve. Ndërsa kryeministri publikoi 3 konkluzionet, ku Venecia i cilësonte të vlefshme zgjedhjet e 30 qershorit.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi akuzoi Taulant Ballën se ka shpërndarë informacione të rreme në Venecia, dhe nënvizoi faktin se opinioni i Venecias i njeh presidentit qëllimin e mirë brenda shtyrjes së zgjedhjeve.

Kryeministri, i cili nuk e mori bekimin e Venecias për të shkarkuar Presidentin e Republikës, rendit ato pjesë të opinionit që lënë në fuqi 30 qershorin.

“Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve, nuk mund të ndalojnë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të pengonin çdo proces zgjedhor. Anulimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cënoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur. Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në Kushtetutë dhe në ligj”.

Ngelet për tu parë nëse pas këtij raporti Komisioni Hetimor do të vijojë ose jo punën për shkarkimin e presidentit, dhe nga ana tjetër, nëse do të ndryshojë qëndrim Ilir Meta duke filluar me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër./ABC News Albania