Komisioni i Venecias ka dhënë opinion pozitiv duke i hapur rrugë miratimit të ligjit të parë të reformës zgjedhore, financimit të partive politike.
Në opinion, vlerësohen ndryshimet ligjore si dhe bashkëpunimi mes palëve politike, megjithatë Komisioni ka 6 rekomandime për të forcuar edhe më shumë projektligjin dhe mos lënë hapësira për abuzime.Së pari, shqetësimi kryesor i Venecias mbetet financimi i paligjshëm i partive politike, kryesisht nga palë të treta.
“Rregullimi më gjithëpërfshirës i financimit të fshehur dhe financimit indirekt nga palë të treta dhe subjekte të lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike”>
Një tjetër rekomandim, është ai për raportet financiare. Kërkohet që partive politike të mos u lihet asnjë hapësire për të fshehur apo shamngur detyrimet për të raportuar çdo të ardhur apo shpenzim.
“Duke e bërë të qartë në ligj se raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar, të gjitha burimet e të ardhurave, shpenzimet, asetet, detyrimet, kreditë, borxhet, garancitë, kontributet në natyrë, shërbimet nën vlerën e tregut, transaksionet e subjekteve të lidhura, mbështetjen publike në natyrë, shpenzimet për median dhe komunikimin dixhital, dhe grantin për barazinë gjinore dhe të rinjtë; dhe duke marrë në konsideratë detyrimet më të shpeshta të raportimit”.
Si autoritet mbikqyrës i partive politike, Venecia rekomandon forcim të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në këtë rol krahas ndryshimeve ligjore.
“Forcimi i mbikëqyrjes së financimit të partive, duke përfshirë krijimin e mekanizmave të përcaktuar qartë për bashkëpunim midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe agjencive të tjera shtetërore, dhe sigurimin që Komisioni të ketë një mandat të qartë, autoritetin dhe burimet e mjaftueshme për të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe proaktive financimin e partive”.
I vetmi rishikim konkret që kërkon Komisioni i Venecias është ai për sanksionet per partite politike dhe individe. Kërkohet zgjerimi i gamës së sanksionimit në proporcion me rritjen e gjobave.
“Rishikimin e dispozitave sanksionuese për të siguruar që sanksionet janë të disponueshme për shkeljet e të gjitha detyrimeve dhe ndalimeve sipas Projektligjit; duke ofruar një gamë më të gjerë të sanksioneve të ndryshme për të siguruar që ato janë efektive, proporcionale dhe dekurajuese, duke marrë në konsideratë rritjen e diapazonit të gjobave të caktuara administrative.”/abcnews.al



