Vendoret 2023/ PS kryeson në 53 bashki. PS merr për herë të parë Shkodrën, Veliaj thellon avantazhin në Tiranë

schedule17:40 - 15 Maj, 2023

schedule 17:40 - 15 Maj, 2023

Vijon procesi i numërimit në vend, për kryebashkët e rinj. PS kryeson në 53 Bashki, përfshi është bashkitë e mëdha, si Tirana, Durrësi, e Shkodra. Deri më tani procesi i numërimit ka përfunduar në 48 bashki për kandidatët për kryetar. Ndërkohë në bashkitë Elbasan, Kamëz, Vorë, Pustec, Libohovë dhe Poliçan procesi ka përfunduar edhe për Këshillat Bashkiak

Në zgjedhje morën pjesë 44 parti politike, nga të cilat 38 parti jashtë koalicioneve, përfshi partinë më të madhe në vend, Partinë Socialiste e cila ka hyrë e vetme në garë.

Elbasani, Kamza dhe Vora aplikuan votimin elektronik, bashki të cilat ishin të parat që dhanë rezultatin final, ku fitues u konfimuan kandidatët e PS, përkatësisht, Gledian Llatja, Rakip Suli dhe Blerim Shera.

Ora 00:23 Vendoret/ Manja i bashkohet festës së PS në Kurbin: Fitorja e Majlindës i dedikohet qytetarëve pa dallime politike

Kandidatja e PS në Bashkinë e Kurbinit, Majlinda Cara kryeson më 10783 vota, ose 51.41%, ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Behar Haxhiu ka marrë 10192 vota, ose 48.59%.

Festa e fitores ka nisur në këtë bashki, ku pjesë e saj është ministri i drejtësisë, Ulsi Manja i cili në fjalën e tij për mediat ka thënë se fitorja e Majlindës i dedikohet qytearëve të Kurbinit pa dallime politike.

“Kanë zgjedhur një kryetar bashkie në Lezhë dhe një zonjë si Majlinda në Kurbin. Në qarkun ku kemi respektuar barazinë gjinore në drejtimin e pushtetit vendor. Fitorja e Majlindës i dedikohet banorëve të Kurbinit pa dallime politike. Majlinda me këtë staf dhe Ramën në qeveri do bëjë punë të mira për Kurbinin”

Ora 00:17 VIDEO/ Kurbin, socialistët nisin festën

Mbështetësit e Partisë Socialiste kanë nisur festën në Bashkinë e Kurbinit, ndonëse numërimi nuk ka përfunduar ende zyrtarisht.

Aktualisht janë edhe katër kuti në proces numërimi, por rezultati në favor të Majlinda Carës është thelluar në 600 vota kundrejt rivalit Behar Haxhiu nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”

ABC News ka siguruar pamjet e simpatizantëve dhe mbështetësve të Carës, e cila do të drejtojë Kurbinin edhe për katër vitet e ardhshme

15 Maj 2023

Ora 23:51 Këshilli Bashkiak/ Numërohen 100 qendrat e para të votimit në Tiranë, ja rezultatet

Janë numëruar 100 qendrat e para të votimit për Këshill Bashkiak në Tiranë, nga 941 që janë në total.

Partia Socialiste edhe këtu dominon bindshëm duke marrë 14120 vota, që përkthehen në 33 mandate.

Pas PS, vjen koalicioni “Bashkë Fitojmë” që ka marrë 7398 vota, që përkthehen në 17 mandate. Katër mandate ka deri më tani Partia Demokratike, tre Partia Socialdemokrate dhe nga një mandat, L.ZH.K dhe PDIU.

Ora 23:26 Vendoret/ Ndërpritet numërimi në KZAZ numër 38 në Tiranë, kur pritet të rifillojë

Teksa procesi u numërimit po shkon drejt fundit edhe në Tiranë, gazetari i ABC Neës, Ermal Vija raporton se në KZAZ numër 38, numërimi është ndërprerë.

Shkak është lodhja e numëruesve, ndërsa procesi pritet të rifillojë sërish nesër në orën 8.

Kandidati i Partisë Socialiste vazhdon të thellojë diferencën e tij ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

Veliaj ka marrë deri më tani 140710 vota, ndërsa Këlliçi ka marrë 90187 vota.

Deri më tani janë numëruar 844 qendra votimi nga 961 që janë në total.

Ora 23:21 PS fiton bindshëm Bashkinë Vlorë

Partia Socialiste fiton bashkinë e Vlorës më një rezulat të thellë. Kandidati Ermal Dredha ka fituar bindshëm kundrejt rivalit të “Bashkë Fitojmë” Hysni Sharra.

Ai ka siguruar mbi 70% të votave për bashkinë e qytetit bregdetar.  Sipas KQZ, Dredha  ka marrë 28 259, kurse Sharra 11797 vota.

Ora 20:26 KQZ dërgon inspektorë në Kurbin, shkak situata e tensionuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar inspektorë për të ndjekur nga afër procesin e numërimit të votave për shkak të tensioneve të krijuara në Bashkinë e Kurbinit.

Inspektorët e KQZ-së do të monitorojnë nga afër procesin që të vijojë numërimi normalisht dhe rezultati të dalë sa më shpejt.

Ora 19:32 Përfundon numërimi në bashkitë në Durrës, Partia Socialiste fiton bindshëm

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në tre bashkitë në qarkun Durrës, ku fituese ka rezultuar Partia Socialiste.

Emiriana Sako do të drejtojë Bashkinë e Durrësit edhe për 4 vitet e ardhshme, pasi arriti të marrë rreth 10 mijë vota se rivali i tij i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.

Ora 19:17 Rezultatet për Këshillin Bashkiak në Poliçan/ PS merr shumicën, ‘Bashkë Fitojmë’ dhe PD me nga një mandat

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për këshillat bashkiakë në disa të bashki të vendit. Në bashkinë e Poliçanit, Partia Socialiste ka siguruar 13 mandate ndërsa koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ dhe Partia Demokratike zyrtare kanë marrë vetëm nga një mandat secila prej tyre.

Në bashkinë Poliçan, fitoi Adriatik Zotkaj nga Partia Socialiste me 13362 vota, me një fitore të thellë ndaj Behar Xhaferajt, pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili mori 461 vota.

Ora 19:04 Garë e ngushtë për Bashkinë e Kavajës, kandidati i “Bashkë Fitojmë” kalon në avantazh

Kavaja është ndër të paktat bashki ku po vijon ende procesi i numërimit të votave dhe duket se fituesi do të përcaktohet deri në numërimin e kutive të fundit.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja ka kaluar në avantazh përballë rivalit të tij nga Partia Socialiste, Redjan Krali.

Ora 18:42 Socialisti i parë që drejton Shkodrën/ Benet Beci: Shkodra foli, zgjodhi ndryshimin

“Shkodra foli, zgjodhi ndryshimin”, ishin këto fjalët e para të Benet Becit, i cili do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme bashkinë e Shkodrës, duke u bërë kështu socialisti i parë që drejton këtë qytet

“Akoma nuk më kanë dalë emocionet e këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme, ku Shkodra foli, ku Shkodra vendosi të jetë pro zhvillimit, pro ndryshimit. Është një sensacion i madh pas një muaji fushatë, qytetarët na besuan dhe është një detyrim i jashtëzakonshëm që u jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin…

Ora 17:48 Emiriana Sako, kryetare e Bashkisë Durrës/ Kutitë e mbetura nuk ndikojnë në rezultat

Emiriana Sako do të drejtojë Bashkinë e Durrësit edhe për 4 vitet e ardhshme.

Ndonëse kanë mbetur edhe disa kuti për t’u numëruar, duket se kjo nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, pasi Sako kryeson bindshëm ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.

Aktualisht, Sako ndodhet në Pallatin e Sportit në Durrës me drejtuesin politik të Partisë Socialiste të këtij qarku, Agron Çela ku po ndjekin nga afër procesin e numërimit që po shkon drejt fundit.

Ora 17:26 “Përfundon numërimi në 44 bashki”/ Celibashi: Pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 37.9%

Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi deklaroi se në 44 bashki të vendit ka përfunduar procesi i numërimit të votave.

Në një deklaratë për mediat, Celibashi u shpreh se numërimi është ndërprerë në dy KZAZ në Durrës, për shkak të lodhjes së komisionerëve dhe grupit numërues.

Sipas shifrave të raportuara nga 4835 qendra votmi, Celkibashi nënvizoi se pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 majit rezulton 37.9%.

Ora 17:17 PS fiton Gjirokastrën, Flamur Golemi rikonfirmohet në krye të bashkisë

Flamur Golemi, kandidati i Partisë Socialiste për Gjirokastrën është rikonfirmuar në krye të bashkisë. Gazetari Elidon Berberi raporton për ABC News se Golemi ka arritur të sigurojë 10430 vota kundrejt rivalit të tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i cili ka marrë 4463 vota.

Në një deklaratë për mediat, Golemi tha se do të punojë më shumë se katër vitet që kaluan për të gjithë pa dallim partiak. Ai shtoi se fushata ka qenë ‘fair play’ dhe se është takuar me kundërshtarin, ku i kanë uruar suksese njëri-tjetrit.

Ora 15:25 Zyrtare/ Armando Subashi sërish në krye të bashkisë së Fierit

Ka përfunduar numërimi në qytetin e Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi ka fituar zyrtarisht edhe një tjetër mandate në krye të kësaj bashkie.

Ora 14:55 ‘Bashkë Fitojmë’ humbi thellë në zgjedhje, reagon për herë të parë Ilir Meta

Ilir Meta ka thyer heshtjen, përmes një postimi në facebook, pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendoret të 14 Majit.

Në të njëjtën gjuhë me aleatin e tij në opozitë, Sali Berisha, edhe Meta i konsideron këto zgjedhje si narkozgjedhje të narkoshtetit.

Or 14:37 Humbi në Shkodër përballë Benet Becit, reagon Bardh Spahia

Bardh Spahia reagon pas humbjes në Shkodër.

“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta.

Ora 14:29 Veliaj vijon thellimin e rezultatit, shkon 40 mijë vota para Këlliçit

Erion Veliaj vijon të thellojë rezultatin e fitores në Tiranë, Pothuajse në çdo kuti votimi që numërohet, kryebashkiaku Veliaj rrit diferencën ndaj Belind Këlliçit.

Nga të dhënat e fundit, Veliaj ka 40 mijë vota më shumë se Këlliçi. Më konkretisht, Veliaj deri në këto momente ka 109193 vota, ndërsa kundërshtari i tij vetëm 69481 vota.

Ora 13:40 Vendoret/ Celibashi: Sipas ligjit rezultati sot në 22:00. Numërimi po ecën mirë, vetëm një incident në Kavajë

Nëse gjithcka do të shkojë pa probleme dhe ligji do të respektohet, sot në 22:00 do të kemi rezultatin për zgjedhjet vendore për kryetarët e bashkive.

Deklarata vjen nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në konferencën e parë për mediat ditën e sotme.

“Sipas ligjit deri në 22:00 duhet të përfundojë numërimi për të gjitha KZAZ.” U shpreh Celibashi, ndërsa theksoi se deri më tani procesi i numërimit po shkon shumë mirë.

Ora 12:51 Sotiraq Filo siguron mandatin e tretë si kryebashkiak në Korçë

Korça është një tjetër bashkie e fituar nga të majtën, në krye të së cilës Sotiraq Filo ka siguruar mandatin e tretë në krye të kësaj bashkie.

Sipas të dhënave të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mësohet se Kandidati i PS, Sotiraq Filo ka siguruar 20 996 mijë vota, ndërsa kundërshtarja e tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë 13 631 vota.

Kryebashkiaku aktual dhe i zgjedhur Filo është shprehur se është shumë i emocionuar dhe tashmë do të punohet që të sigurohet mirëqenje për çdo familje korçare.

Ora 12:44 PS fiton për herë të parë Shkodrën, Benet Beci fiton përballë Bardh Spahisë

Ka përfunduar numërimi në Bashkinë e Shkodrës. Mësohet se Partia Socialiste ka fituar për herë të parë në këtë qytet. Është pikërisht kandidati Benet Beci që shënoi këtë rezultat historik, duke lënë pas kandidatin të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia.

Ora 12:18 Nga Veriu në jug, PS kryeson në mbi 50 bashkitë, “Bashkë Fitojmë” merr vetëm 6 prej tyre

Në të gjithë vendin po vijon në shumë bashki procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj.

Sipas të dhënave të komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në mesditën e kësaj të hëne ka përfunduar procesi i numërimit në 33 bashki ku vetëm në 6 prej tyre kandidatët  koalicionit Bashkë Fitojmë kanë arritur që të sigurojnë një mandat për 4 vitet e ardhshme.

Ora 12:03 Ndërpritet numërimi në Malësinë e Madhe, largohen komisionerët e “Bashkë Fitojmë”

Shkak janë bërë komisionerët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të cilët janë larguar.

Ora 11:26 Lushnja sërish rozë, kandidatja socialiste merr fitoren

Ka përfunduar numërimi i 156 kutive në qytetin e Lushnjes.

Sipas të dhënave të KQZ, Partia Socialiste ka fituar sërish. Eriselda Sefa e mazhorancës ka marrë mandatin 22402 vota, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Eduard Sharka ka marrë 13362 vota.

Ora 11:05 Kandidati i PS fiton në Patos

Patosi është bashkia e radhës që ka zgjedhur për  një tjetër mandat kandidatin e Partisë Socialiste Fatjon Duraj.

Duraj ka arritur që të sigurojë një fitore të thellë ndaj dy kandidatëve kundërshtare në këto zgjedhje.

Ora 10:50 Veliaj thellon me 30 mijë fitoren ndaj Këlliçit në Tiranë

Hapja e kutive të votimit tregon fitoren e padiskutueshme të Erion Veliajt në Tiranë.

Aktualisht Veliaj ka thelluar fitoren me 30 mijë vota diferencë me kandidatin e  dyshes Berisha-Meta, Belind Këlliçi.

Ora 10:22 Saranda dhe Belshi janë bashkitë e radhës të marra nga Partia Socialiste

Është mbyllur procesi i numërimit në Bashkinë e Sarandës dhe të Belshit ku kanë fituar kandidatët e Partisë Socialiste ndaj kundërshtarëve të tyre nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Arif Tafani ka siguruar mandatin e radhës në krye të qytetit të Belshit me një diferencë shumë të ngushtë prej vetëm 120 votash, Tafani ka fituar mandatin ndaj kundërshtarit të koalicionit “Bashke Fitojme”, Bedri Qypi.

Ora 10:07 VIDEO/ Pas 30 vitesh, Devolli fitohet nga socialistët, nis festa me brohorima

Pas 30 vitesh, Devolli fitohet nga socialistët në një garë elektorale.

Ora 10:02 Numërohet kutia e fundit, mbështetësit e Belerit nisin festën në Himarë

Mbështetësit e Fredi Belerit kandidatit të Bashkë Fitojmë, kanë nisur festën jashtë ambienteve ku po numërohet kutia e fundit.

Gazetari Elton Nika raporton për Abc News se deri më tani Fredi Beleri është 27 vota para kundërshtarit të tij të PS Jorgo Goro.

Ora 09:54 Garë e fortë në Gramsh, kandidati socialist fiton me një diferencë të vogël votash

Është mbyllur numërimi në Bashkinë e Gramshit. Kandidati i Partisë Socialiste, Besion Ajazi ka fituar me rreth 5500 vota. Ai ka lënë pas kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hasim Çekrezi me 5000 vota.

Ka qene një ndër garat më të forta të zhvilluara, pasi mes të dy rivalëve ka pasur vetëm 500 vota diferencë.

Ora 09:50 Mbyllet numërimi në 5 bashki në Gjirokastër, koalicioni “Bashkë Fitojmë” fiton në Memaliaj

Në qarkun e Gjirokastrës ka përfunduar numërimi në 5 nga 7 bashkitë e këtij qarku. Procesi i numërimit në të gjithë bashkitë ka vijuar normalisht pa ndonjë incident.

Deri më tani nga 5 bashkitë ku është mbyllur numërimi, koalicioni Bashkë Fitojmë ka arritur që të marrë bashkinë e Memaliaj. Sipas të dhënave kandidati i BF, Albert Malaj ka siguruar 2592 vota kundrejt kundërshtarit të PS-së Gjolek Guci me 2368.

Ndërkohë në Këlcyrë, Tepelenë, Libohovë dhe Dropull kanë fituar kandidatët e Partisë Socialiste. Gjithashtu në këtë qark vijon dhe numërimi i kutive të fundit në bashkinë e Gjirokastrës ku kryeson kandidati i PS-së Flamur Golemi dhe në Përmet ku gjithashtu kryeson kandidatja e PS-së Alma Hoxha.

Ora 09:31 Partia Socialiste dominon në 6 bashki në qarkun e Fierit, Subashi kryeson bindshëm

Janë numëruar 116 kuti nga 224 në total në qytetin e Fierit. Gazetarja Valbona Davidhi raporton se Partia Socialiste me Armando Subashin dominon me 18354 vota, duke lënë pas Evdar Kodhelin nga koalicioni Bashkë Fitojmë me 5043 vota dhe Eriselda Çelajn nga Partia Demokratike me 2924 vota.

Ndërkohë, Bashkinë Patos janë numëruar 36 nga 48 qendra votimi në total. Fation Duro i PS vijon i pacënuar drejt fitores me 5729 vota, ndërkohë që Sofije Alushaj i ‘Bashkë Fitojmë’ është e dyta me vetëm 1984.

Edhe në Bashkinë Divjakë kryeson PS. Kur janë numëruar 23 nga 67 kuti, Josif Gorra i PS kryeson me 2975 votave përballë Aurela Malkos të ‘Bashkë Fitojmë’ me 2477 vota

Ora 09:03 Me vetëm 23 vota para, Partia Socialiste fiton në Rrogozhinë

Ka mbaruar numërimi në Bashkinë Rrogozhinë. Mësohet se ka fituar kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla me vetëm 23 vota diferencë.

Ora 08:50 Garë e ngushtë për kryebashkiakun e ri në Himarë

Himara është një tjetër bashki e cila pritet që të japë një mandat për kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri.

Gazetari Elton Nika raporton për ABC News se në Himarë janë edhe 4 kuti të fundit për tu numëruar nga 36 që janë në total, të cilat pritet që të japin emrin e fituesit e këtyre zgjedhjeve për kreun e bashkisë.

Ora 06:54 Vendoret/ Përfundon numërimi i votave në Pukë, “Bashkë Fitojmë” merr bashkinë e parë

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Bashkinë e Pukës. Pasi janë numëruar votat në 20 qendrat e votimit, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka triumfuar duke  marrë kështu zyrtarisht bashkinë e parë.

Kandidati i koalicionit BF, Rrok Dodaj ia doli të merrte 3480 vota, ose 58.13%, ndërsa kandidati i Partisë Socialiste Gjon Gjonaj mori  2507, ose 41.87%.

Deri më tani Partisa Socialiste ka marrë 9 bashki, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 1 bashki, ndërsa Partia Demokratike ende asnjë.

Ora 06:49 Partia Socialiste fiton në Bashkinë Këlcyrë

Partia Socialiste ka fituar edhe në Bashkinë e Këlcyrës. Kandidati i saj, Klement Ndoni arriti të sigurojë 2018 vota, duke lënë pas rivalin e “Bashkë Fitojmë” Arjan Kasaj me 1936 vota.

Në këtë bashki gjithsej ishin 17 qendra votimi. Krahas Elbasanit, Vorës dhe Kamzës, të cilat ishin të parat që shpallen rezultatin, PS-ja vijon të marrë bashki të tjera në shkallë vendi.

Partia Socialiste ndryshe nga herët e shkuara, në këto zgjedhje po tenton të thyejë bastionet kryesore të opozitës, siç është Shkodra apo edhe Kukësi.

Ora 06:44 Vendoret/ Dropulli, bashkia e radhës që fitohet nga PS

Ka përfunduar procesi i numërimit edhe në Bashkinë e Dropulli.

Sipas të dhënave të KQZ, janë numëruar votat në 37 qendrat e votimit.

Rezultati është i pakontestueshëm, kandidati i Partisë Socialiste, Dhimitraq Toli ka fituar bindshëm duke marrë 3709 vota, ose 81.25%. Pas tij vjen kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Thanas Maneka që ka marrë 679 vota, ose 14.87% dhe i treti është kandidati i Nismës Thurje, Kosta Garo i cili ka marrë 177 vota, ose 3.88%.

Ora 06:11 Partia Socialiste në revansh, Delvina vishet “rozë”

Partia Socialiste ka fituar një tjetër nga 61 bashkitë e vendit. Bëhet fjalë për Bashkinë e Delvinës, ku kandidati socialist u konfirmua si alternativa më e besuar e qytetarëve delvinjotë.

Kryebashkiaku i ri Besmir Veliu mori 3103 vota, kurse Ilir Mehmeti siguroi 1843 vota.

Ora 06:07 Përfundon numërimi në Tepelenë, PS nuk e diskuton fitoren

Ka përfunduar procesi i votimit në Bashkinë e Tepelenës. Janë numëruar 22 qendrat e votimit dhe rezultati është më shumë se bindës për Partinë Socialiste dhe kandidatin e saj, Tërmet Peçin .

Peçi ka marrë 4088 vota, ose 82.67% , ndërsa pas tij vjen me diferencë të thellë  kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë Baftjar Imeri i cili ka marrë 511 vota, ose 10.33 % dhe i treti është kandidati i Partisë Demokratike, Sokol Guga që ka marrë 346 vota, ose 7%

Ora 05:56 Vendoret/ Procesi i numërimit drejt përfundimit në Kolonjë, Erion Isai pranë fitores

Vazhdon procesi i numërimit në Bashkinë e Kolonjës. Deri më tani janë numëruar 25 qendra votimi, nga 28 që janë në total.

Duket se kandidati i Partisë Socialiste, Erion Isai po shkon i sigurtë drejt fitores.

Deri më tani Isai ka marrë 3491 vota, ose 64.00%, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Et’Hem Lumani ka marrë 1964 vota, ose 36.00%.

Ora 05:53 Tiranë, Erion Veliaj nuk njeh rivalë. Deri tani kryeson me mbi 11 mijë vota

Erion Veliaj mbetet një politikan i pathyeshëm kur vjen puna për Bashkinë e Tiranës. Kandidati socialist, që synon të marrë mandatin e tretë, vazhdon të thellojë rezultatin përkundër rivalit kryesor Belind Këlliçi, kandidat nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 05:44 minuta të mëngjesit të së hënës, Veliaj ka siguruar 33009 vota, kurse Këlliçi 21676. Diferenca mes tyre është 11 333 vota.

Surprizë e madhe duket të jetë kandidati i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i cili ka lënë pas Roland Bejkon e Partisë Demokratike

Ora 05:43 Vendoret/ “Zgjohet” Kavaja, nis procesi i numërimit, rezultatet e para

Më në fund ka nisur procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Kavajës. Pas më shumë se 6 orësh, është numëruar qendra e parë e votimit, nga 92 që janë në total.

Nga numërimi i kësaj qendre votimi, kandidati i Partisë Socialiste Redjan Krali ka marrë 65 vota, ose 62.50%, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja ka marrë 39 vota, ose 37.50%.

Kujtojmë që procesi i numërimit u vonua për shkak të mungesës së numëruesve të opozitës.

Ora 05:37 Fieri mbetet “kryeqyteti” i socialistëve. Subashi prin bindshëm

Qyteti i Fierit apo siç i njohur ndryshe si “kryeqyteti” i socialistëve vazhdon ta thelllojë rezultatin zgjedhor në favor të PS.

Pavarësisht faktit se janë numëruar një pjesë e vogël e qendrave të votimit, kandidati i Partisë Socialiste, Armado Subashi kryeson bindshëm përballë rivalit të “Bashkë Fitojmë” Evdar Kodheli.

Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga faqja zyrtare e KQZ-së rezulton se Subashi ka marrë deri tani 4178, kurse Kodheli 941. Bashkia e Fierit ka në total 224 qendra votimi, ndërsa deri tani janë numëruar 30 prej tyre.

Ora 05:16 Lezhë, garë e ngushtë mes rivalëve

Gara në Bashkinë e Lezhës vazhdon të mbetet e ngushtë mes dy rivalëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu deri tani ka siguruar 3655 vota, kurse kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni ka 3627.

Në total në Bashkinë e  Lezhës janë 126 qendra votimi, ndërsa 31 prej tyre janë numëruar.

Ora 05:14 Vendoret/ Vazhdon numërimi në Himarë, ja sa vota kanë marrë Goro e Beleri

Vazhdon procesi i numërimit në Bashkinë e Himarës. Deri më tani janë numëruar 11 qendra votimi nga 36 që janë në total.

Deri më tani kandidati i Partisë Socialiste, Jorgo Goro kryeson duke marrë 1358 vota, ose 56.82%, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri i cili ndodhet pas hekurave ka marrë 1032 vota, ose 43.18%.

Ora 05:04 Vendoret/ Ka nisur procesi i numërimit edhe në Krujë, ja rezultatet e para

Kruja është nga bashkitë e fundit që ka nisur procesin e numërimit. Deri më tani janë numëruar 14 qendra votimi  nga 92 që janë në total.

Në garë për këtë bashki janë kandidati i Partisë Socialiste, Artur Bushi dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Agron Loka.

Nga numërimi deri më tani, kandidati i PS kryeson bindshëm duke marrë 2792 vota ose 63.85%, ndërsa kandidati i BF ka marrë 1581, ose 36.15%

Ora 04:39 Bie bastioni i PD? Benet Beci thellon diferencën ndaj Bardh Spahisë

Pritej që gara për Shkodër të ishte e “nxehtë” me koalicionin “Bashkë Fitojmë” që e ka bastionin e saj dhe Partinë Socialiste që bëri gjithçka për ta thyer në këto zgjedhje.

Benet Beci, një ish-demokrat u vendos nga PS si kandidat për këtë bashki, në krahun tjetër koaliconi “Bashkë Fitojmë” vendosi Bardh Spahinë, i cili triumfoi një vit më parë në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Deri më tani janë numëruar votat në 34 qendra votimi, nga 247 që janë në total dhe është Beci ai që kryeson dhe me një diferencë prej më shumë se 1,500 votash, ose 60.77%.

Kandidati i PS ka marrë 4677 vota, ndërsa Bardh Spahia ka marrë 3019 vota, ose 39.23%.

Ora 04:08 Vendoret/ Numërohen mbi 100 qendra votimi në Tiranë, Veliaj thellon diferencën me Këlliçin

Vazhdon me ritme të kënaqshme procesi i numërimit të votave në Bashkinë e Tiranës. Sipas informacioneve të fundit nga KQZ të orës 03:40, janë numëruar votat në 125 qendra votimi nga 941 që janë në total.

Kandidati i Partisë Socialiste, Erion Veliaj vazhdon të thellojë diferencën me kundërshtarin e tij direkt, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

Veliaj deri më tani ka marrë 19602 vota, ose 55.04%, ndërsa Këlliçi ka marrë 12014 vota, ose 33.73%.

Ora 03:56 Partia Socialiste fiton Bashkinë e Libohovës

Përfundon numërimi në Bashkinë Libohovë. Kandidati i Partisë Socialiste, Leonard Hide fiton ndaj rivalit Adil Xhelili. Ai mori 1401 vota, kurse Xhelili 1234.

Partia Socialiste u shpall fituese edhe në bashkitë ku procesi I votimit u realizua në mënyrë elektronike.

Bëhet fjalë për bashkinë e Elbasanit, Vorës dhe të Kamzës, ndërsa vazhdon gara e ngushtë në bastionet e së djathtës.

Ora 03:34 Vendoret/ Hapen 17 kuti në Korçë, Sotiraq Filo në epërsi

Procesi i numërimit të votave ka nisur prej disa minutash në Bashkinë e Korçës.

ABC News mëson se deri më tani janë hapur 17 kuti në KZAZ numër 74.

Kandidati i Partisë Socialiste, Sotiraq Filo kryeson bindshëm pasi ka marrë 2374 vota, ndërsa kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ledina Alolli ka marrë 1403 vota.

Ora 03:27 Vendoret/ Hapen kutitë e para në Durrës, ky është rezultati

Procesi i numërimit ka nisur edhe në Bashkinë e Durrësit, shumë më vonë nga sa pritej. Tanimë janë numëruar kutitë e para.

Deri më tani janë numëruar votat e 8 qendrave të votimit nga 382 që janë në total.

Kandidatja e Partisë Socialiste, Emiriana Sako ka marrë 1279 vota, ose 60.67%, ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara ka marrë 829 vota, ose 39.33%.

Ora 03:23 Celibashi urdhër KZAZ-ve: Procesi i numërimit të vijojë në mënyrë të pandërprerë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar vazhdimin në mënyrë të pandërprerë të procesit të numërimit të votave.

Me një njoftim të shpërndarë për mediat, ky organ u kërkon Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor që të marrin masat për zëvendësimin e anëtarëve të grupeve të numërimit, nëse është e nevojshme. Po ashtu, kryekomisioneri Ilirian Celibashi kërkon administrim të saktë të tabelave të rezultatit dhe të gjithë dokumentacioneve.

Ora 03:01 Vendoret/ Hapen 14 kuti në Pogradec, kryeson Ilir Xhakolli

Janë hapur 14 kutitë e para në Bashkinë e Pogradecit. Kutitë e numëruara janë të Buçimasit, ndërsa kryeson me gati 1 mijë vota diferencë kandidati i PS, Ilir Xhakolli i cili ka marrë 2572 vota.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Zini Tolozhina  ka marrë 1535 vota.

Një detaj interesant që vjen nga Progradeci është se kandidati i BF është mundur në fshatin e tij.

Ora 02:56 Baze: Zgjedhjet nxorën fenomenin “votë dërrmuese” kundër Berishës

Në kutitë e para Partia Socialiste po prodhon surpriza në qytetin e Shkodrës. Kandidati Benet Beci vijon të ruajë avantazhin kundrejt rivalit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia. Gazetari Mero Baze theksoi për ABC News se ky trend që po ruhet nga Beci, mund ta çojë atë drejt triumfit në bashkinë Shkodër.

“Mendoj se është një shenjë që mund ta çojë tek fitorja e PS. Mendoj se trendi me të cilin po eci Beci, ka mundësi që mund ta çojë drejt fitores”, tha ai.

Gazetari tha se në këto zgjedhje u vu re një fenomen, që sipas tij, ka të bëjë me votë dërrmuese kundër Sali Berishës.

“Nuk bëhet më fjalë për fitore PS, por ajo që është fenomen në këto zgjedhje është votë dërrmuese kundër Sali Berishës nga jugu në veri të Shqipërisë”, tha Baze.

Ora 02:47 Blerim Shera fitoi Bashkinë, PS kryeson edhe në Këshillin Bashkiak në Vorë

Ndërsa KQZ zyrtarizoi rezultatin për bashkinë e Vorës ku fitues u shpall Blerim Shera, socialistët kanë triumfuar edhe në Këshillin Bashkiak.

Kështu nga 44 qendra votimi, i PS,  kryeson me 13 mandate, 4 për koalicionin Bashkë Fitojmë dhe PAA e Agron Dukës ka siguruar  dy mandate dhe nga një mandat kanë siguruar partia Republikane dhe Fryma e re Demokratike.

Ora 02:44 Rakip Suli fitoi Bashkinë, PS kryeson edhe në Këshillin Bashkiak në Kamëz, siguron 19 mandate

Ndërsa KQZ zyrtarizoi rezultatin për bashkinë e Kamzes ku fitues u shpall kreu aktual i Bashkisë Rakip Suli, socialistët duket të jenë në avantash edhe në Këshillin Bashkiak.

Kështu nga 133 qendra votimi, në 111 prej tyre ku ka përfunduar tashmë numërimi PS, kryeson me 29 mandate, 2 per PSD dhe nga një mandat kanë siguruar Partia Agrare Ambjentaliste, Partia Republikane, Aleanca Liberale e Djathtë, Fryma e Re Demokratike si edhe Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë.

Ora 02:27 Vendoret/ Hapen kutitë e para në Fier, Armando Subashi kryeson me mbi 60%

Procesi i numërimit ka nisur prej disa minutash edhe në Bashkinë e Fierit, një bastion i Partisë Socialiste.

Në garë për këtë bashki janë kandidati i PS, Armando Subashi, kandidati i “Bashkë Fitojmë” Evdar Kodheli dhe kandidatja e PD, Eriselda Çelaj.

Teksa janë numëruar 3 qendra votimi nga 224 që janë në total, kandidati i PS kryeson me 289 vota, ose 60.21%, pas tij vjen kandidati i BF, Evdar Kodheli i cili ka marrë 104 dhe jo larg tij është kandidatja e PD me 87 vota.

Ora 02:09 Nis numërimi i votave në Dibër/ Tension mes kandidatit të “Bashkë Fitojmë” dhe komisionerëve

Pak minuta më parë ka nisur numërimi i votave në Bashkinë e Dibrës, aty ku në fakt ka vetëm një qendër numërim ajo e KZAZ numër 19.

Kutia e parë është hapur në Selishtë, aty kandidati i PS, Rahim Spahiu ka marrë 95 vota, ndërsa kandidati i”Bashkë Fitojmë” Ismail Uka ka marrë 31 vota.  Në qendrën e numërimit është shfaqur edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” i cili ka shkaktuar një tension me komisionerët.

I pyetur nga mediat për tensionet gjatë procesit të votimit, Uka i ka mohuar.

Deri më tani në bashkitë Mat, Klos dhe Bulqizë numërimi ka nisur me herët dhe ka një kryesim nga ana e kandidatëve të Partisë Socialiste.

Ora 02:04 Vendoret/ Hapen 6 kutitë e para në Durrës

Në Bashkinë e Durrësit janë hapur kutitë e para të procesit zgjedhor të 14 majit. Aktualisht nuk ka një numër të afishuar, por gazetari i ABC News, Arlind Isa raporton se janë hapur gjashtë prej tyre

Në pallatin e Sportit “Ramazan Njala” janë 110 kuti, vota këto, të cilat u përkasin zonave rurale të Durrësit. Ditën e djeshme, qytetarët durrsakë kanë votuar për kryetar bashkia, ndërsa në garë janë Igli Cara nga “Bashkë Fitojmë” dhe Emiriana Sako nga Partisë Socialiste.

Ora 01:50 Vendoret/ Hapen 4 kutitë e para në Shijak, këto janë rezultatet

Procesi i numërimit ka nisur tanimë në pjesën më të madhe të bashkive të vendit.

ABC News mëson se janë hapur 4 kutitë e para edhe në Bashkinë e Shijakut, ku në garë janë kandidati i Partisë Socialiste, Elton Arbana dhe ai i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rezart Tushe.

Kandidati i PS kryeson bindshëm pasi ka marrë 735 vota, ndërsa ai i “Bashkë Fitojmë” vetëm 170.

Ora 01:42 Vendoret/ Nis numërimi në Vlorë, hapet kutia e parë, Ermal Dredha kryeson bindshëm

Procesi u numërimit ka nisur më në fund edhe në Bashkinë e Vlorës. Kutia e parë është numëruar në KZAZ 83. Ai që kryeson është kandidati i Partisë Socialiste, Ermal Dredha.

Dredha ka marrë 133 vota, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharra ka marrë vetëm 14 vota.

Kujtojmë që në total për t’u numëruar në këtë bashki janë 226 qendra votimi

Ora 01:40 Numërohen kutitë e para në Kukës, Safet Gjici i PS në epërsi

Partia Socialiste vazhdon të surprizojë edhe në Kukës. Ndonëse me një diferencë të vogël, kandidati i Partisë Socialiste Safet Gjici është në avantazh kundrejt rivalit Admir Sinemati.

Nga dy kuti të hapura, Gjici ka marrë 134 vota, Sinemati 131, kurse kandidati i Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë, Abedin Oruçi ka marrë 16 vota. Këto janë votat e para të numëruara, ndërsa Kukësi ka gjithsej 73 qendra votimi.

Ora 01:27 PS thyen pas 32 vitesh bastionin e së djathtës në Baz të Matit

Partia Socialiste duket se e ka gjetur çelësin e suksesit duke përmbysur rezultatin edhe në ato zona, të cilat njihen si bastione të së djathtës. Një prej zonave, e cila ka qenë bastion i pathyeshëm është zona e Bazit në Mat.

Për herë të parë në katër kuti të numëruara, banorët e zonës duket se votën e tyre e kanë çuar në drejtim të PS duke ndryshuar tërësisht preferencat e tyre.

Referenca është viti 2021, ku PS ka qenë -280 vota, kurse sot është + 259 në favor të kandidatit Agron Malaj.

Ora 01:13 Vendoret/ Numërimi i votave në Librazhd, “shkëputet” kandidati i PS-së

Vazhdon numërimi i votave në Bashkinë e Librazhdit. ABC News mëson se kandidati i Partisë Socialiste, Mariglen Disha vazhdon shkëputjen nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shefki Çota.

Momentalisht Disha ka marrë 1.313 vota, ndërsa Çota ka marrë 520 vota.

Edhe pse ka ende kuti për numëruar, nuk pritet që të ketë ndryshime sa i përket fituesit

Ora 01:12 Foto-lajm/ Beleri në burg, Dule bashkë me Goron ndjekin numërimin në Himarë

Në Bashkinë e Himarës kanë nisur të votohen kutitë e para, disa orë pas mbylljes së orarit zyrtar të votimeve. Kjo bashki mori vëmendjen të shtuar pasi kandidati I koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u arrestua pak ditë para zgjedhjeve pasi dyshohet për shit-blerje votash.

Por, teksa Beleri ndodhet në paraburgim, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule po ndjek nga afër procesin, ndërsa është filmuar bashkë me kandidatin e Partisë Socialiste Jorgo Goro. Deri tani procesi raportohet i qetë . Jorgo Goro synon të marrë mandatin e katërt në këtë bashki.

Ora 01:02 Vendoret/ Hapen kutitë e para në Belsh, kryeson kandidati i “Bashkë Fitojmë”

Janë hapur kutitë e para në Bashkinë e Belshit. Deri më tani janë numëruar 3 qendra votimi nga 40 që janë në total.

Deri më tani kryeson kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bedri Qypi, i cili ka marrë 315 vota ose 57.27%, ndërsa kandidati i Partisë Socialiste Arif Tafani ka marrë  235 vota, ose 47.73%.

Kujtojmë që Belshi është një nga bashkitë që ka pësuar një transformim të madhe në infrastrukturë dhe ekonomi nën drejtimin e Arif Tafani

Ora 01:00 Vendoret/ Kandidatët e PS kryesojnë në Gjirokastër e Delvinë

Në bashkinë e Gjirokastrës ka nisur procesi, ku kandidati i Partisë Socialiste ka marrë revanshin kundrejt rivalit të tij. Kandidati i PS-së, Flamur Golemi në kutinë e parë ka siguruara 127 vota , kurse Dorjan Lani nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” .

Por, krahas kësaj, vihet re një numër i lartë i fletëve të pavlefshme. Sakaq, raportohen shtatë fletë votimit, të cilat janë klasifikuar si ta pavlefshme. Kurse në Delvinë, pas 5 kutive të para kandidati i PS-së Besmir Veli  ka siguruar 802, kurse Ilir Mehmeti nga “Bashkë Fitojmë” ka marrë 388 vota.

Ora 00:54 Vendoret/ Nis numërimi i votave në Velipojë, Benet Beci në epërsi

Vetëm pak minuta më parë nisi numërimi i votave në Bashkinë e Shkodrës.

Së fundmi kanë dalë rezultatet e para dhe sipas asaj që mëson ABC News, është kandidati i Partisë Socialiste, Benet Beci ai që kryeson, përballë kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Bardh Spahia.

Votat e numëruara janë të Velipojës

Ora 00:40 Vendoret/ Nis numërimi në Shkodër, Gjirokastër e Lezhë

Ka nisur procesi numërimit edhe në bashki të mëdha të vendit, siç janë ato të Gjirokastrës, Shkodrës dhe Lezhës.

Sipas sondazheve, pritet që të jetë një garë e fortë në Shkodër, mes kandidatit të Partisë Socialiste, Benet Beci dhe atij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia.

Po ashtu edhe në Lezhë pritet një garë e fortë mes Pjerin Ndreut dhe Pashk Gjonit, ndërsa Gjirokastra pritet të jetë rozë

Ora 00:40 Nis numërimi në Tiranë, Veliaj kryeson bindshëm

Edhe në Tiranë ka nisur procesi i numërimit të votave. Sipas procesverbalit të siguruar nga ABC News, por që ende nuk janë pasqyruar në faqen e KQZ,  rezultojnë këto rezultate.

  • Arlind Qori  3 vota
  • Marko Dajti 7 vota
  • Lajla Pernaska 1 votë
  • Erion Veliaj 165
  • Belind Këlliçi 52 vota
  • Roland Bejko 12 vota.

Sipas të dhënave, Erion Veliaj ka marrë trefishin e votave kundrejt rivalit kryesor Belind Këlliçit.

Ora 00:32 PS fiton bashkinë e parë në Korçë, Peleshi njofton triumfin e Kolefskit në Pustec

Numërimi i votave në Bashkinë e Pustecit po shkon drejt fundit, ndërsa edhe pse ka ngelur edhe një kuti, kandidati i PS Pali Kolefski ka shpallur fitoren, pasi është gati 500 vota para, kundërshtarit të tij Pandi Jani i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa në kutinë e mbetur ka rreth 300 vota.

Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi është shprehur se kjo është fitorja e parë nga 6 bashkitë që do të fitohen në Korçë.

“Këtu jemi në Pustec. Fitorja e parë nga 6 bashkitë që do të fitohen në Korçë. Fitore e bukur, sepse  ne kemi një djalë të shkëlqyer që fiton mandatin e dytë. Ka ngelur vetëm një kuti, por rezultati është i mbyllur pasi ne jemi 500 vota para, ndërs kutia që ka mbetur ka rreth 300 vota”, tha Peleshi.

Ora 00:27 Nis numërimi në Lushnjë e Skrapar, kryeson PS

Ka nisur procesi i numërimit në bashkinë e Lushnjës. Në dy kutitë e para, kandidatja e PS  Eriselda Sefa ka marrë 280 vota kundrejt rivalit të “Bashkë Fitojmë”, Eduart Sharka, i cili ka marrë, 204 vota. Sipas KQZ, bashkia e Lushnjës ka gjithsje 156 qendra votimi.

Gjithashtu numërimi ka nisur edhe në Skrapar. Nga 23 kuti në total, deri më tani është numëruar 1 prej tyre. Sipas rezultateve paraprake nga KQZ, kandidati i PS, Adriatik Mema ka marrë  89 vota, ose 55.63%, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Euglen Mustafallari, me 71 vota ose 44.38%.

Ora 00:20 Vendoret/ Nis numërimi në Tropojë, rezulatet e para

Ka nisur numërimi i votave edhe në Bashkinë e Tropojës, ku deri më tani janë numëruar 3 qendra votimi, nga 38 që janë në total.

Nga numërimi kutive të para, kandidati i Partisë Socialite, Rexhe Byberi kryeson bindshëm me 604 vota, ose 60.70%, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Besnik Dushaj ka marrë 391 vota, ose 39.30%.

Këto janë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të rifreskuara në orën 00:10.

Ora 00:10 Nis numërimi në Poliçan/ Kryeson kandidati i PS-së, pas tij vjen ai i PD

Janë hapur kutitë e para në Bashkinë Poliçan. Për këtë bashki në garë janë 3 kandidatë, ai i Partisë Socialiste, Adriatik Zotkaj, i Partisë Demokratike, Florian Qama dhe ai i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Behar Xhaferaj.

Deri më tani janë numëruar votat në 2 nga 22 qendra votimi në total dhe kryeson kandidati i PS me 229 vota, ose 74.84%, pas tij vjen kandidati  i PD, Florian Qama, i cili ka marrë 60 vota, ose 19.61 % dhe i fundit është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili ka marrë 17 vota ose, 5.56%.

14 maj 2023

Ora 23:58 Vendoret/ Hapen kutitë e para në Devoll, ja kush kryeson

Ka nisur numërimi manual i votave edhe në Bashkinë e Devollit. Deri më tani janë numëruar votat në 3 qendra votimi.

Deri më tani kryeson kandidati i Partisë Socialiste, Eduard Duro i cili ka marrë 484 vota, ose 53.60%, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Elvis Hajdërlli, i cili ka marrë 414 vota, ose 45.85%.

Në këtë bashki në garë është kandidati i pavarur, Çlirim Hoxha i cili ka marrë vetëm 5 vota, ose 0.55%

Ora 23:54 Humbi përballë rivalit në Elbasan, reagon Luçiano Boçi

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka reaguar pas humbjes përballë Gledian Llatjas. Ai e nis reagimin me një falënderim për zgjedhësit e Elbasanit, ndërsa shpreh rezerva për mënyrën se si ka shkuar procesi i numërimit elektronik. Edhe pse nuk e thotë hapur, Boçi duket ka pranuar rezultatin.

“Me mirënjohje dua të falenderoj të gjithë qytetarët, banorët e bashkisë së Elbasanit që dolën sot për të votuar. Dua të falenderoj të gjithë ata që më besuan dhe më mbështetën me pasionin për ndryshimin”, tha ai.

Ora 23:46 Vendoret/ Nis numërimi i votave në Memaliaj, këto janë rezultatet e para

Numërimi manual i votave ka nisur edhe në Bashkinë Memaliaj, ku janë numëruar votat në 4 nga 27 qendra votimi në Total.

Në garë për këtë  bashki janë, Gjolek Guci kandidat i Partisë Socialiste dhje Albert Mala kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Deri më tani kandidati i PS ka marrë 383 vota, ose 51.83%, ndërsa kandidati i “BF” ka marrë 356 vota, ose 48.17%.

Ora 23:42 “Kavaja është një betejë”, Veliaj: Algoritimi ynë tregon për një fitore masive mbi 55 bashki

Drejtuesi politik i qarkut Tiranë në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, kërkoi një hetim për transportin e pajisjeve elektronike. Ai tha në ABC News se nuk mund të hidhen kompjuterët si të ishin topa futbolli, dhe për këtë shtoi Veliaj dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

“Hetim për transportin  e pajisjeve elektronike. Patjetër, shqetësimi im i mëngjesit u verifikua.  Nuk mund të hedhesh  kompjuterit si topa futbolli. Kur ti shikoni se si shqetësimi i mëngjesit prvohet në atë skenë që hidheshin si thasë patateje. Unë nuk jam hetues. I takon një hetuesi, një prokurori, që të shikojë se kush çedoi.”, tha ai.

Ai theksoi se projeksione e Partisë Socialiste flasin për fitore  në mbi 55 bashki.

“Patjetër, i gjithë algoritimi ynë tregon për një fitore masive mbi 55 bashki. Kavaja është një betejë”, tha Veliaj.

Ora 23:37 Opozita pa numërues, Veliaj: Do të presim deri në mesnatë, lidershipi ka nisur të “lëpijë plagët”

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës dhe njëkohësisht drejtuesit politik i kryeqytetit, Erion Veliaj, në një komunikim për ABC News, ka folur në lidhje me nisjen e numërimit të votave në Tiranë, Kavajë dhe Rrogozhinë.

Ai tha se PS i ka gati numëruesit, por opozita jo. Veliaj ka shtuar se do të presë deri në mesnatë dhe më pas do t’i kërkojë KQZ që sjellë numërues nga shoqëria civile.

“Nuk është herët, edhe në Tiranë, Kavajë dhe Rrogozhinë i kemi gati numëruesit. Unë i them kolegëve të opozitës më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund. Erdhi dita, ajde i numërojmë.”, tha Veliaj.

Ora 23:25 Minxhozi: Berisha do kontestonte rezultatin edhe nëse do kryhej numërimi manual

Analisti Skënder Minxhozi thotë se kreu i Foltores, Sali Berisha do ta kontestonte rezultatin edhe nëse do kryhej manualisht. Ai shtoi se tani ish-kryetari i PD-së, ka dy rrugë: ose të pranojë humbjen ose kontestimin e rezultatit.

“Jam i bindur se edhe po të ishte numërim manual, pra nuk është tek nuk është teknologjia thelbi i kontestimit të Berishës, por thelbi i kontestimi është rezultati. Edhe manual po të ishte, do thoshte se është trukuar, sepse është thellësia e rezultateve elektronike, e cila kondicioni linjën taktike të Berishës nga ky moment dhe deri sa të mbarojë numërimi. Kjo e s’kushtëzon, sepse i mbyll hapësirën. Ai ka tani vetëm një hapësirë, pranimi i humbjes ose kontestimi i saj. Po të jetë Shqipëria në këtë logjikë, nuk ka çfarë thotë”, tha Minxhozi.

Analisti Edvin Kulluri tha se që nga viti 2013, Berisha numëron gjashtë procese zgjedhore që del humbës.

“Ai është procesi i gjashtë zgjedhor që nga viti 2013, që humbet. Çfarë do kontestojë? U bë rrugë”, u shpreh Kulluri.

Ora 23:15 Vendoret/ Hapen kutitë e para në Pustec, kandidati i PS kryeson me më shumë se 60%

Pas përfundimit të procesit të votimit,  përpos 3 bashkive ku votimi u bë elektronik, procesi i  numërimit manual ka nisur deri më tani vetëm në Bashkinë e Pustecit.

Në garë për këtë bashki janë 2 kandidatë, ai i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Pandi Jani dhe ai i Partisë Socialiste, Pali Kolefski.

Deri më tani në këtë bashki janë numëruar votat në 2 qendra votimi nga 8 në total. Kandidati i PS kryeson bindshëm me 60.06%, ndërsa ai i BF me vetëm 39.94%.

Ora 22:30 VIDEO/ Tenderi 23 milionë euro, pajisjet elektronike të votimit ‘flaken’ pa pikë përgjegjshmërie në kamion

ABC News ka siguruar pamjet ku shihet qartë se si po transportohen pajisjet elektronike nga KQZ. Në video, vihet re se pajisjet vendosen brenda një kamioni pa treguar asnjë lloj kujdesi.

Ajo që është më shqetësuese është fakti që ky tender për pajisjet elektronike ka kushtuar 23 milionë euro. Analisti Edvin Kulluri e cilësoi këtë veprim si një papërgjegjshëri totale.

“Të tallesh me 23 milionë euro. Është një papërgjegjshmëri totale“, thotë ai. “Në momentin që sistemi s’ka funksionuar dhe janë paguar paratë është çështje penale”, shtoi ai.

Ora 22:28 Këshilli Bashkiak/ PS siguron deri më tani 28 mandate, ndiqet nga ‘Bashkë Fitojmë’

PS ka siguruar deri më tani 28 mandate për Këshillin Bashkiak në Elbasan, bashki e cila do të drejtohet për 4 vitet e ardhshme nga Gledjan Llatja.

Sakaq nga 224 qendra votimi janë numëruar deri më tani 150, ku në përfundim ka rezultuar se koalicioni Bashkë Fitojmë ka deri më tani 13 mandate, 7 mandate ka siguruar Partia Demokratike, dhe nga një mandate PSD, PDIU dhe Partia e Gjelbër.

Ora 22:02 Blerim Shera fitoi Bashkinë, PS kryeson edhe në Këshillin Bashkiak në Vorë

Ndërsa KQZ zyrtarizoi rezultatin për bashkinë e Vorës ku fitues u shpall Blerim Shera, socialistët duket të jenë në avantash edhe në Këshillin Bashkiak.

Kështu nga 44 qendra votimi, në 35 prej tyre ku ka përfunduar tashmë numërimi PS,  kryeson me 13 mandate, 4 për koalicionin Bashkë Fitojmë dhe PAA e Agron Dukës ka siguruar deri më tani dy mandate dhe nga një mandat kanë siguruar partia Republikane dhe Fryma e re Demokratike.

Ora 21:52 Fitorja në Kamëz/ Rakip Suli: Qytetarët vlerësuan punën, do t’u shërbej të gjithëve pa ndasi politike

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i cili mori sonte konfirmimin nga qytetarët për një tjetër mandat 4 vjeçar falenderoi qytetarët për besimin e dhënë. Në një deklaratë për mediat me drejtuesin e PS për qarkun e Tiranës Erion Veliaj, Suli tha se do t’u shërbejë qytetarëve pa ndasi politike.

“Zoti i bekoftë qytetarët e Kamzës. Privilegj që m’u dha mundësia për të kandiduar në Kamëz. Sot qytetarët i dhanë një mesazh gjithë Shqipërisë që nuk janë provë e askujt por janë në shërbim të familjes së tyre. Një mesazh për atë që sot është non grata, që në 30 vite vetëm shpirtin s’i dhanë se votën po por ai hapi vetëm një gropë të madhe në Kamëz, ku sot ka rënë vetë.

Ora 21:22 Vendoret/ Kulluri: Sot PD është shembur, ja sa bashki mund të fitojë

“Sot PD është shembur.” Kështu u shpreh analisti Edvin Kulluri teksa po komentonte zgjedhjet e sotme në ABC News. Sipas analistit, Partisë Demokratike i ka mbetur vetëm një kolonë që është Shkodra. Duke bërë një parashikim, Kulluri shtoi se PD nuk do të marrë më shumë se tre bashki.

“Sot PD është shembur. I ka mbetur vetëm një kolonë në Shkodër. Mund të fitojë edhe dy apo tre bashki. Ky është fundi.”. u shpreh shkurtimisht Kulluri. Sakaq, kujtojmë që deri më tani kanë dalë rezultatet në tre bashkitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan ku votimi ishte në mënyrë elektronike.

Ora 21:02 Kandidati i PS fitoi bindshëm/ Veliaj: Vora na dha mesazhin për të ecur përpara

“Nga ka ikur zëri këtë muaj por jo energjia. Jam i lumtur që siparin e rezultateve e hap qarku i Tiranës me një fitore 75 përqind në Vorë. Vora që prej dy dekadash nuk thyhej, ishte kthyer në një bastion që varnin xhaketën. Vora na dha një mesazh që duam të ecim përpara. Do të falenderoj Blerim, kryetarin e sotshëm dhe të nesërmen të bashkisë së Vorës”, tha Veliaj.

Ora 21:00 Shkodër, Bardh Spahia: Të dhënat flasin për fitore bindëse

Ndonëse numërimi nuk ka nisur ende në Shkodër, kreu aktual i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia i cili garoi për një tjetër mandat nën siglën e koalicionit Bashkë Fitojmë, foli për një fitore bindëse

“Dëshiroj të falenderoj vëzhguesit dhe komisionerët.

Përgëzoj gjithë trupën e numëruesve që do angazhohen dhe do japin me përgjegjësi vlerën që i takon cdo qytetari shkodran.

Falendroj qytetarët që kanë zgjedhur të na mbështesin do jetë e përkthyer në vizion për Shkodrën. Të dhënat flasin për një fitore bindëse.”- u shpreh Spahia.

Ora 20:41 KQZ publikon shifrat: Partia Socialiste fiton në Kamzë, Vorë dhe Elbasan

Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet vendore në bashkitë e Kamzës, Vorës dhe Elbasanit.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Socialiste në Kamzë, Rakip Suli mori 60.65% të votave, duke siguruar një tjetër mandat 4-vjeçar.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha siguroi 35.11%, ndërsa ai i Partisë Demokratike, Bilbil Bajraktari, 4.24%.

Ora 20:19 Blerim Shera shpall fitore në Vorë: Vazhdojmë projektet

Kandidati i PS Blerim Shera ka shpallur fitoren në Vorë.

“Nga shtabi kemi të dhëna që në çdo qendër është një fitore e padiskutuar. Nga diskutimet, punën që ne kemi bërë, besojmë pritshmëritë tona janë te 10 mijë vota. Procesi ka qenë shumë i qetë. Asnjë incident.

Atë që ne kemi bërë që në fillim të fushatës. Vora ndryshe nga dy bashkitë e tjera e kishte për herë të dytë votimin elektronik.

Do marr dhe do vazhdoj punën nesër si çdo ditë tjetër. Projektet janë shumë të mëdha, na ndërtimi i një ujësjellësi të ri, mbylljen e të gjithë procesit të rindërtimit. Kemi kopshtin e ri që do të hapë dyert në shtator, shkollën e re”, deklaroi Blerim Shera.

Ora 20:15 Vendoret/ Celibashi: Pjesëmarrja 34.37 %. Votimi ka përfunduar në gjithë Repulikën

34.37 % është pjesëmarrja në zgjedhje vendore 2023, ndërsa procesi i votimit konsiderohet tashmë i mbyllur në të gjithë Republikën. Shifra u deklarua nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi duke iu referuar qendrave të votimit që është raportuar elektronikisht.

“Procesi ka përfunduar në të gjithë territorin e Republikës, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit, komisionerët po protokollojnë procesin.

Ora 20:07 Rama bën parashikimin: PS merr mbi 50 bashki

Ndërsa ka kaluar një orë nga mbyllja e procesit të votimit, kryemistri Edi Rama ka bërë një reagim në Facebook. Kreu i qeverisë ka ndarë një letër përmes së cilës shpreh parashikimin e tij në këto zgjedhje.

Rama është i bindur për fitoren në mbi 50 bashki.

Ora 20:04 Zgjedhjet në Elbasan/ Luçiano Boçi humbet në qendrën ku votoi vetë

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi ka humbur në qendrën 2370, kua ai ka votuar në qytetin e Elbasanit.

Rezulton se Boçi ka marrë 46 vota, ndërsa kryebashkiaku i qytetit, njëherësh kandidati i Partisë Socialiste, Gledian Llatja, ka marrë 53 vota.

19:56  Kamëz/ Rezultatet për dy kutitë e para, ja kush kryeson

Po bëhet një orë nga mbyllja e votimit në të gjithë vendin. Kamza ka votuar në mënyrë elektronike dhe tashmë kanë dalë edhe rezultatet e para. Sipas asaj që raportoi gazetari Sokol Balla, duke iu referuar disa burimeve, theksoi se deri më tani ai që kryeson është kandidati i PS, Rakip Suli.

Ora 19:02 Zgjedhjet vendore/ Mbyllet orari zyrtar i votimit, qytetarët ende në rradhë për të votuar

Mbyllet orari zyrtar i votimit. Urdhri i KQZ është shumë i qartë për të gjithë komisionerët. Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi tha më herët se në të gjitha qendrat e votimit në të cilat do të ketë qytetarë që presin në radhë, procesi do të jetë i hapur deri kur qytetari i fundit të shprehë vullnetin e tij.

Gazetarja Ajgena Korbi në një lidhje live për nga KQZ raportoi se sipas informacioneve ka edne qytetarë në radhë për të votuar. Deri më tani nga sa është raportuar kanë votuar 36.39 e votuesve në të gjithë vendin. Kukësi, Dibra dhe Tirana janë 3 bashkitë me pjesëmarrjen më të madhe në votime.

Ora 18:46 Votimet deri në orën 18:00/ 3 bashkitë që kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes në votime të qytetarëve në bashkitë e vendit.

Deri në orën 18:00, pjesëmarrja në rang vendi është në 36.39%.  Kukësi, Dibra dhe Tirana janë 3 bashkitë me pjesëmarrjen më të madhe në votime.

Në Kukës, pjesëmarrja është në shifrat e 51.96%, në Dibër 43.5% dhe në Tiranë 40.24%

Ora 17:36 A do të shtyhet orari i votimit? Ja si përgjigjet Celibashi

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është pyetur edhe nëse do të shtyhet votimi përtej orës 19:00. Celibashi theksoi se deri më tani nuk ka asnjë indicie për ta shtyrë votimin por nëse do të ket qytetarë që mund të presin, atëherë ata do të kenë të drejtën të votojnë edhe përtej orës 19:00.

“Nuk kemi asnjë shkak ligjor deri tani për të shtyrë orarin e votimit. Rikonfirmoj edhe njëherë se nëse në orën 19:00 do të jenë votues që presin për të votuar në qendrën përkatëse, komisioni do të shënojë emrat e atyre votuesve dhe do t’i lejojë ata që të votojnë dhe asnjë tjetër pasi të ketë përfunduar votimi.”, tha Celibashi.

Ora 17:47 Më pak se dy orë nga orari zyrtar, PS apel qytetarëve: Votoni! Vota vlen shumë, vota vendos shumë

Më pak se 2 nga përfundimi zyrtar i orarit të votimit, PS intensifikon thirrjet drejtuar qytetarëve për të marrë pjesë në votime.

“Fëmijët duan dhe meritojnë një Shqipëri më të mirë. Vota vlen shumë, vendos shumë. Përcakton të ardhmen tonë të përbashkët. Prandaj në këto minuta të mbetura dilni dhe votoni. Votoni. Votoni. Votoni.”- ishte thirrja e radhës e Muzhaqit nga selia e PS.

Ora 17:35 Dy orë nga përfundimi i orarit zyrtar të zgjedhjeve KQZ njofton se pjesëmarrja e votuesve në procesin e votimit është 34.54 %

Ora 16:39 – KQZ: Deri në 16:00 kanë votuar 32.19 % e zgjedhësve me të drejtë vote

17:32 Këlliçi apel qytetarëve: Dilni votoni, ky proces është jetik për kryeqytetin

Ndërsa ka mbetur edhe pak nga mbyllja e votimeve në orën 19:00, kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka apeluar sërish qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës.

“Kemi hyrë në 90 minutëshin e fundit, në finalen e kësaj gare që mezor e kemi pritur. Janë 90 minuta që kërkojnë impenjimin tuaj për të dalë dhe të votuar dhe ndërruar katër vitet e ardhshme. Të korruptuarit nuk duan që ju të merrni pjesë në votim. Ndaj iu drejtoj një thirrje nga zemra të gjithë qytetarëve, në qytet dhe fshat, dilni dhe merrni pjesë masivisht në votim deri në orën 19:00.

Ora 16:20 PS ankesë kundër Këlliçit dhe Boçit: Bënë fushatë elektorale në ditën e zgjedhjeve

Partia Socialiste i është drejtuar me një kërkesë KQZ-së ku kërkon marrjen e masave ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi dhe të atij të Elbasanit, Luçiano Boçit me argumentin se gjatë deklaratave për shtyp kanë bërë fushatë elektorale gjatë ditës së zgjedhjeve.

Ora 16:11 Spahiu denoncon kandidatin e “Bashkë Fitojmë” në Dibër: Hyri në qendrat e votimit, intimidoi zgjedhësit

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Dibrës, Rahim Spahiu ka denoncuar rivalin e tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ilir Krosi se me eksponentë të tjerë ka shkuar në qendrat e votimit dhe ka intimiduar zgjedhësit.

Përmes një deklarate për mediat, Spahiu u shpreh se Krosi ka thyer etikën dhe shkelur ligjin për zgjedhjet vendore.

“Ata kanë shëtitur në të gjitha ambientet e qendrave të votimit në qytetin e Peshkopisë, duke intimiduar zgjedhësit, duke thyer etikën dhe duke shkelur ligjin për zgjedhjet vendore. Iu bëj thirrje këtyre personave që të ulen, të presin edhe këta orë që kanë ngelur në votime, dhe pastaj numërojmë së bashku votat dhe ta shohim se si është rezultati i tyre. Bëhet fjalë për qendrat e votimit në qytetin e Peshkopisë, te shkolla ‘Profesionale”. Kemi edhe fotot që janë bërë në këto qendra. Indimidim edhe duke u folur zgjedhësve në kalim e sipër”, theksoi ai.

Ora 15:40 Këlliçi thirrje qytetarëve: Nëse doni një Tiranë ndryshe, dilni dhe votoni

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçi i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe të marrin pjesë në votimet për zgjedhjet vendore,.

Përmes një konference për mediat, Këlliçi u shpreh se nëse qytetarët duan një Tiranë ndryshe,  atëherë ata duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Ju lutem, ushtroni të detyrën tuaj si qytetarë, dilni dhe votoni. Nëse doni që pas 14 majit, autobusin ta keni pa pagesë, nënkalimi te Sheshi Skënderbëj të bëhet realitet, nëse doni taksa më të ulta për biznesin tuaj të vogël dhe të mesëm, nëse doni oaze të gjelbërta, nëse doni një Tiranë ndryshe, dilni dhe votoni. Dilni dhe merrni pjesë masivisht në votim.”

Ora 15:36 Problemet me votimin elektronik/ PS thirrje qytetarëve: Kthehuni dhe votoni

Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi ka dalë sërish në një deklaratë për mediat ku iu ka bërë thirrje qytetarëve të cilët nuk patën mundësinë të votojnë për shkak të problemeve të identifikimit elektronik.

“Qeveria e ka financuar masivisht KQZ për pajisjet e identifikimit dhe votimit elektronik prandaj nuk ka se si të mos na vijë keq për mosdhënien e shërbimit të identifikimit elektronik duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë teksa KQZ nuk merrte vendimin më elementar për nisjen e votimit nëpër këto qendra.”

Ora 15:30 – KQZ Deri në 15:00 kanë votuar 29.51% e zgjedhesve me te drejte vote

Ora 15:19 FOTO LAJM/ Kandidati i Dibrës shkon në një qendër votimi, largohet pasi thirret policia

Kryetari i PD Dibër, Ilir Krosi së bashku me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ismail Uka dhe Çlirim Gjatën kanë shkuar në një qendër votimi në shkollën “Myslym Shehu.

Ata kanë hyrë brenda qendrës por janë larguar pasi është njoftuar policia.

Ora 14:56 Ambasadorja amerikane Yuri Kim në Vlorë, monitoron nga afër procesin e votimit

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka mbërritur në Vlorë për të parë nga afër procesin e votimit në këtë bashki. Siç shihet edhe nga pamjet, diplomatja amerikane ka hyrë në njërën nga qendrat e votimit duke monitoruar nga afër procesin e votimit.

Më herët gjatë ditës së sotme ambasada amerikane dha një mesazh për zgjedhjet.

Ora 14:54 “Parregullsi gjatë procesit”, Aliahmeti u bën thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni

Drejtuesi i listës së kandidatëve për këshillin bashkiak Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se ka pasur parregullsi gjatë procesit të votimit.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se të gjitha këto kërkojnë vetëm një gjë, që njerëzit të pengohen, të mos dalin, e të mos votojnë. Si pasojë, Alimehmeti i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë.

Ora 14:54 Proces i qetë, pjesëmarrja në Fier, 20 përqind

Fieri është një bashkitë e cila duket se pjesëmarrja është e lartë dhe procesi ka vijuar i qetë

Gazetarja Erblina Mile raporton se procesi i votimit është i qetë, përveç nisjes në orët e para të mëngjesit për shkak të problemeve teknike që ka ndodhur për shkak të pajisjeve elektronike.

Ndër të tjera gazetarja thekson se një incident i izoluar ka ndodhur në Rroskoveç, por sipas saj ishte momental dhe nuk ka pasur ndikim në procesin zgjedhor.

Ora 14:35 KQZ: Pjesemarrja deri ne 14:00 eshte 26.64%

Ora 14:27 “Merrni pjesë në votime”/ Akuzat për presion? Jorgo Goro: Dule të flasë me fakte

Kreu aktual i bashkisë së Himarës Jorgo Goro ftoj të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votime.

“Sot qytetarët duhet të shprehen me votë, pa asnjë hezitim i ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar të vijnë të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të ardhmen e tyre.”- u shpreh Goro, ndërsa komentoi edhe akuzat e kreut të PDBNJ, Vangjel Dule, sipas të cilit Goro ka ushtruar presion te votuesit.

“Nuk ka një gjë të tillë, Dule të na e thotë me fakte. SHpreh edhe një herë atë që qytetarët po bëjnë sot. Njerëzit po votojnë për të shperhur vullnetin e tyre.”- tha Goro.

Ora 14:25 “Opozita sot është më e fuqishme se kurrë”, Berisha thirrje qytetarëve: Votoni!

Kryetari i Foltores, Sali Berisha mesditën e kësaj të diele ka dalë në një konferencë për mediat ku ka komentuar mbarëvajtjen e deri tanishme të procesit zgjedhor.

Berisha në fjalën e tij është shprehur se të gjithë qytetarët  që nuk kanë dalë në votime të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre.

Gjithashtu ai është shprehur se do të jetë opozita që do të mbikqyre dhe do të mbrojë voton e tyre.

Ora 14:11 Vendoret/ PS: KQZ të kërkojë ndjesë publike

Në emër të Partisë Socialiste, ministrja Bora Muzhaqi ka bërë thirrje KQZ t’i kërkojë ndjesë publike të gjithë qytetarëve të cilët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të problematikave gjatë mëngjesit të sotëm.

Përmes një deklarate për shtyp nga selia rozë, ajo ftoi të gjithë qytetarët të votojnë për një të ardhme më të mirë.

Ora 13:56 Celibashi: Njerëzit e paautorizuar apo që kanë votuar të largohen nga qendra e votimit, ndryshe të mbajnë përgjegjësi
Kryetari i Komisionit Qendror, Ilirjan Celibashi në deklaratën e tij për mediat për të dhënë një panoramë në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor sesi ka ecur deri më tani është shprehur se përveç disa problemeve gjërat kanë qenë të menaxhueshme.

Celibashi ka komentuar dhe raportimet e bëra nga Durrësi dhe nga Tiranë për prani të personave të paautorizuar nëpër disa qendra votimi.

Ai është shprehur se çdo person që ka votuar dhe është i paautorizuar për të qëndruar aty duhet që të largohet, ndryshe të mbajë përgjegjësi.

Ora 13:54 Vendoret/ 5 orë nga nisja e procesit, Celibashi: Në tërësi po shkon normalisht. Ja disa nga problematikat

Pesë orë nga nisja e procesi, votimi në tërësi po shkon normalisht. Është ky vlerësimi nga kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi lidhur me procesin e deri tanishëm për zgjedhjet vendore. Ndër të tjera Celibashi listoi një sërë problematikash të raportuara nga qendrat e votimit.

“Kemi patur dy problem lidhur me fletët e votimit, në një qendër në Peqin dhe një në Fier, rezultonin mangët për Bashkinë Peqin 500 fletë votimi për kryetar ndërsa për Fierin 500 fletë mangët për anëtarët për këshillin.

Dy qendra kanë patur problematika me kutinë e votimit.  Kemi një raportim mbi numrin e zgjedhësve që kanë qenë prezent në orët e para të mëngjesit te vlerat e 21 %. Nga komunikimi me policinë, kemi informacion për 2 incidente, një në Fushë Krujë dhe një në Dibër….

Ora 13:37 Nuk punon një nga pajisjet në qendrën e votimit, radhë votuesish në Kamzë

Votimi elektronik në Kamzë duket se ka shkaktuar radhë të gjata për shkak të problemeve teknike që shfaqin pajisjet elektronike në qendrat e votimit.

Gazetarja Esiona Konomi raporton për ABC News se në tre qendra votimi në Kamzë ku ajo dhe ka qenë nga dy pajisje elektronike vetëm njëra ka qenë në punë dhe kjo ka shkaktuar edhe radhë të gjata.

Ndërkaq dhe pse radhë të gjata qytetarët nuk janë larguar por kanë pritur që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Ora 13:28 Tjetër incident/ Kreu i PD-së në Durrës godet me grushta këshilltarin bashkiak socialist

Një tjetër incident ka ndodhur në një qendër votimin në Spitallë të Durrësit. Mësohet se kreu i Partisë Demokratike Durrës, Dritan Burgija, shtetasit Pjetër Pjetri dhe Ndec Pjetri, kanë goditur me grushte shtetasin Hekuran Markola, pjesë e këshillit bashkiak të Partisë Socialist.

Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Durrës Markola ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur gjatë kohës që ka qenë në korridorin e Qendrës së Votimit 1430-2.

Ndërkohë, policia po punojnë për kapjen dhe shoqërimin e këtyre 3 shtetasve.

Ora 13:13 Bllokohet votimi, persona të paautorizuar në një qendër votimi në Durrës

Është bllokuar votimi në një qendër votimi në qytetin e Durrësit. Gazetari Leonidha Musaj ka raportuar se disa persona të paautorizuar kanë qendruar brenda qendrës së votimit dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit.

Ka qene policia e Durrësit që ka ndërhyrë dhe i ka larguar këta persona të paautorizuar dhe më pas procesi i është rikthyer normalitetit

Policia ka larguar të gjithë personat që ishin të paautorizuar dhe më pas procesi i është rikthyer normalitetit.

Ora 12:30  KQZ: Deri në 12:00 pjesëmarrja 18.94%

Ora 12:27 VIDEO/ Incident në Maliq, Edmond Spaho tërheq për krahu një votues

Një incident ka ndodhur në një qendër votimi në Maliq. Nga pamjet e vëna në dispozicion nga kryetari aktual i Bashkisë së  Maliqit, Gëzim Topcciu, deputeti i PD-së, Edmond Spaho, shihet teksa tërheq për krahu me forcë, një votues në fshatin Zvezde.

Sipas pretendimeve të të dyja paleve, ka presion nga njëra-tjetra per orientim votash.

Ora 12:25 Noka presion në qendrën e votimit, komisionerët: Hyri me forcë

Një incident është regjistruar në një qendër votimi në Elbasan.

Gazetarja Edisona Skënderi raporton për ABC News se tek shkolla, “Dhaskal Todri” është kërkuar ndihma e policisë për të ndërhyrë pasi është future brenda qendrës së votimit përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Flamur Noka duke bërë presion.

Sipas informacioneve mësohet se kanë qenë anëtarët e komisionit ato që kanë denoncuar dhe kërkuar ndihmën e policisë, pasi Noka akuzohet se ka ushtruar presion mbi to.

Ora 12:22 Voton Bardh Spahia: Duhet t’i kthejmë edhe një herë shkëlqimin Shkodrës së artit dhe kulturë

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili po kandidon për një mandat të dytë, ka votuar.

Menjëherë pas procesit, ai ka deklaruuar se sot është një ditë kur shkodranët duhet t’i kthejnë Shkodrës edhe një herë shkëlqimin për 4 vitet e ardhshme.

Sakaq, lidhur me problematikat e votimit, Spahia ka thënë se ishte thjesht një vonesë në nisje, por që tani është rikuperuar.

Ora 11:47 “Kandidati i tij, Fredi Beleri garon nga qelia”, Dule: Presion mbi zgjedhësit

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule mesditën e kësaj të dielë ka denoncuar në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, se në Himarë po ushtrohet presin mbi votuesit.

Dule është shprehur se të afërm dhe mbështetës të kandidatit të PS-së po i kërcënojnë qytetarët se do i fotografojnë dhe do ua përdorin pas zgjedhjeve.

Ndër të tjera ai ka theksuar se është e rëndësishme që policia ti ndjekë të gjitha këto raste.

Ora 11:40 Erion Veliaj bën thirrje: Votoni! Suksese pesë kandidatëve të tjerë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili po kandidon për një tjetër mandat, ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa në Parkun Olimpik.

Pas procesit të votimit, ai ka falenderuar punonjësit e medias, të cilët janë gjithmonë në krye të detyrës.

Sa i përket problematikave që ka pasur KQZ, Veliaj i ka bërë thirrje të gjithëve të kthehen në qendrat e votimit dhe mos ndikohen nga kjo situatë. Sakaq, ai i ka uruar pestë kandidatëve kundërshtarë suksese.

Ora 11:40 “Qytetarët të bëjnë zgjedhjen e tyre”, Filo: Ngjarja e ndodhur në Kolonjë e shëmtuar

Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo, njëherazi kandidat për një mandate të dytë nga Partia Socialiste pas votimit, ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

Filo është shprehur se është e rëndësishme që qytetarët të marrin pjesë në votime për të bërë zgjedhjen e duhur në lidhje me të ardhmen e familjeve të tyre dhe të Korçës.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme dhe dua që tu bëj thirrje të gjithë banorëve në Korçë të dalin dhe të votojnë. Të shprehin jo vetëm detyrimin por edhe është një përgjegjësi për të vendosur për të ardhmen e familjes së tyre, të fëmijëve dhe të qytetit të Korçës. Ndër të tjera ai ka theksuar se është e rëndësishme që deri më tani nuk ka pasur asnjë problematikë në proces dhe çdo gjë ka nisur normalisht”, ka thënë Filo.

Ora 11:18 Voton Roland Bejko: I vetmi demokrat i djathtë jam unë, të tjerët i përkasin së shkuarës

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko ka votuar pak më parë. Menjëherë pas procesit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë, duke e konsideruar ditën e sotme shumë të rëndësishme.

“Sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët. U bëj thirrje të votojnë. Është një ditë e rëndësishme për të drejtën e votën. E dyta, është një ditë e rëndësishme për të gjitha bizneset e Tiranës, të cilët nëse janë kapur nga taksat.

Projekti jonë për qytetarët e Tiranës është që të mbrojnë pronët, të mbrojmë qytetarët dhe të çlirojmë biznesin nga taksat”, tha Bejko.

Ora 11:05 Ambasadorja amerikane, Yuri Kim thirrje autoriteteve: Zbatoni ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka reaguar për zgjedhjet vendore që po zhvillohen që nga ora 07:00.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Sakaq, ka njoftuar se zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin.

Ora 11:00 Ambasadorja e BE: Dita është e qetë, qytetarët të dalin të votojnë

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë nga Elbasani ka monitoruar nga afër zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryebashkiakut në bashkinë  e Elbasanit.

“Gjërat deri më tani kanë ecur pa problem dhe qytetarët po e ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të zgjedhur kryebashkiakun. Urimi im për sot është sa më shumë zgjedhës të shkojnë në qendër të votimeve dhe të votojnë dhe dita të vijojë kështu pa problem dhe në paqe”, ka thënë ajo.

Ora 10:52 Rama fshikullon KQZ, Kreu i PS: Shpresoj të mos ketë penguar votimin

Kryeministri Edi Rama ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja, Linda Rama në një shkollë në Surrel, zonë në të cilën ai jeton prej disa vitesh. Pas votimit, ai ka dhënë edhe një mesazh për KQZ, duke u shprehur se situata e krijuar në fillim mos të ketë krijuar probleme me votimin.

“Besoj janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar uroj të rikthen dhe të shprehin vullnetin e tyre të plotë“, tha ai.

Ora 10:47 “Votuam si një familje e kompletuar”, Meta: Ditë e madhe, merr fund monizmi absolut

Kryetari i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, njëkohësisht edhe i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i shoqëruar nga familja ka votuar.

Në këto zgjedhje kandidati i forcës që Meta përfaqëson për kryetar bashkie në Tiranë është Belind Këlliçi.

Në fjalën e tij Meta është shprehur se sot është një ditë e madhe pasi të gjithë qytetarët me pjesëmarrjen e tyre në votime do të bëjnë të mundur dhënien fund të këtij regjimi.

Ora 10:47 Voton Meta, shoqërohet nga Kryemadhi dhe fëmijët

Kryetari i Koalicionit Bashkë Fitojmë njëkohësisht edhe i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i shoqëruar nga familja ka votuar.

Në këto zgjedhje kandidati i forcës që Meta përfaqëson për kryetar bashkie në Tiranë është Belind Këlliçi.

Ora 10:35 KQZ: Pjesemarrja deri ne oren 10:00 perllogaritet ne 8.08%

Ora 10:34 Mesazhi i Boçit pas votimit: Qytetarët të dalin të votojnë, vota nuk lexohet është e fshehtë

Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Luciano Boçi ka votuar dhe mesazhi i tij ka qenë që qytetarët të marrin sa më shumë pjesë në zgjedhje për të bërë zgjedhjen e tyre.

Boçi në fjalën e tij është shprehur se votimi me pajsisjen elektronike është e sigurtë dhe vota nuk dëgjohet ka thënë ai.

Ora 10:26 Shkodër, voton Benet Beci i PS: Kemi folur shumë në fushatë, sot flasin qytetarët

Një ditë të bukur për Shkodrën, kështu e konsideroi kandidati I PS në Shkodër Benet Beci, garën e sotme elektorale.

“Kemi folur shumë në fushatë, sot flasin qytetarët. Sa më shumë të shkojnë në kutitë e votimit. Është një ditë e bukur për Shkodrës” u shpreh Beci shkurtimisht për mediat pasi hodhi votën në kutinë e votimit.

Ora 10:22 “Ngjarja ishte e turpshme, nervozizmi tregon panik”, Isai: Gjarprit kur i vjen ngordhja del në rrugë

Kryebashkiaku njëkohësisht kandidati i PS-së në një prononcim për mediat është shprehur se ngjarja e ndodhur mbrëmë ishte e shëmtuar dhe se i vjen turp që në një kohë të tillë akoma ndodhin situate të tilla absurde.

Isai ndër të tjera ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë atë që duan në mënyër që të tregojnë se ato dinë që të zgjedhin.

Ora 10:20 Problemet në qendrat e votimit, Berisha: Do dëgjoni se ndërhyn hakerat

Pas votimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur për problematikat në qendrat e votimeve. Ai ka thënë se në darkë do të thonë se ndërhynë hakerat iranianë.

Sipas Berishës, policia nuk përgjigjet ditën e sotme në telefon.

Ora 10:12 Problemet me identifikimin elektronik/ Pelinku: Nuk jemi në gjendje të kuptojmë arsyen

Nënkryetarja e KQZ Lealba Pelinku nuk e ka ende një arsye të problemeve të shfaqura në shumë qendra votimi me pajisjen e identifikimit elektronik.

“Në këtë fazë të procesit, faktorët që kanë cuar në ulje të qendrave.

Një është mosparaqitja e operatorit dhe tjetra problemi teknik.
Panorama e parë që kemi është se peshën më të madhe e kanë problemet teknike, ende po kërkojmë të kuptojmë cfarë nuk po shkon me këto qendra.” u shpreh Pelinku.

Ora 10:02 Vendoret/ Celibashi: Në 532 qendra, pajisja e identifikimit elektronik nuk funksionon

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka dalë sot në konferencën e parë për mediat lidhur me zgjedhjet vendore. Celibashi tha se në të paktën 532 qendra votimi nuk po kryhet identifikimi elektronik I zgjedhësve.

“Informojmë mbi problematikat e shumta me pajisjet elekronike të identifikimit. Janë 4464 qendra votimi që funksionojnë normalisht me pajisjen e identifikimit elektronik.

205 qendra votimi që sipas informacionit në kohë reale na tregojnë se pajisja s’mund të marrë në kohë reale informacion prej tyre. Janë 532 qendra votimi për të cilat nuk kemi informacion, ose të gjitha këto qendra PEI nuk funksionon, por është një e dhënë që nuk e kemi. Po komunikojmë me këto qendra, për të ditur nëse aty procesi është duke u zhvilluar me PEI apo manualisht.

Ora 09:50 Zgjedhjet për kryebashkiak, Alibeaj: Shqiptarët të votojnë për të bërë ndarjen e madhe nga e shkuara

Kryetari i Komanduar i partisë Demokratike është drejtuar drejt qendrës së votimit për të votuar për kryebashkiakun e ri të Tiranës, ku në garë është edhe Roland Bejko nga kjo forcë politike.

Alibeaj nga Shkolla e Mesme Ekonomike, ka pritur në radhë për të ushtruar të drejtën e tij.

Votova për pak minuta pasi besoj se zgjedhja është e lehtë sot. Kam një mesazh për demokratët për shqiptarët e ndershëm që sot o do të duhet që të ushtrojnë detyrën e tyre të votës, në mënyrë të drejtë, për të bërë një ndarje nga politika. Sot do të duhet që të vijnë se është momenti për ndarjen e madhe nga e shkuara”, ka thënë ai.

Ora 09:35 Dokumenti/ Probleme me identifikimin elektronik, KQZ vendos: Procesi me listën e zgjedhësve të printuar

Ndërsa shumë qendra votimi kanë hasur në vështirësi për shkak të problemeve me pajisjen që mundëson identifikimin elektronik të zgjedhësve, më fund vjen vendimi i KQZ që zhbllokon procesin dhe lejon vijimin normal të tij.

KQZ vendosi pak caste me parë që në qendrat ku hasen vështirësi me pajisjen, identifikimi i zgjedhësve do të kryhet manualisht me listën e printuar.

Kryebashkiaku socialist, Gledian Llatja, i cili kërkon të mbajë një mandat të dytë në krye të qytetit të Elbasanit, ka votuar.

“Është një ditë e rëndësishme, ka tregaur një ditë e qetë për Elbasanin. Uroj të vazhdoj të jetë e qetë për të gjithë qytetarët dhe të dalin të votojnë.

Administrata zgjedhore po merret me zgjedhjet dhe mesazhi im ishte që të jetë një ditë e qetë. Çështjet teknike janë pjesë e administratës zgjedhore dhe kjo nuk do t’I bëj qytetarët të mos votojnë“, tha ai.

Ora 09:13 Zgjedhjet për kryebashkiakët e rinj, KQZ: Pjesëmarrja deri tani 1.29 përqind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dy orë pas nisjes së procesit zgjedhor përmes të dhënave të para që ka përpiluar në lidhje me pjesëmarrjen, njofton se deri në orën 08:00, vetëm 1.29 përqind e votuesve kanë votuar.

Nga shifra e KQZ duket se pjesëmarrja e deritanishme e qytetarëve në këto zgjedhje lokale është e ulët, por pritet për të parë në vijim nëse do të dalje masive të qytetarëve nëpër qendrat e votimit.

Gazetarja Ajgena Korbi raporton për ABC News se në lidhje me problematikat e raportuara nga shumë qendra votimi për mosfunksionimin e pajisjes së identifikimit, Komisioni Qendror i zgjedhjeve nuk ka bërë një panoramë të përgjithshme në rang vendi.

Ora 08:59 Mesazhi i Presidentit, Begaj pas votimit: Këto zgjedhje nuk janë të partive politike, por të qytetarëve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka votuar në shkollën 9-vjeçare në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes”.

I shoqëruar nga bashkëshortja, ai ka kryer procesin e votimit biometrik dhe ka dhënë dhe një mesazh për të gjithë qytetarët. Sipas Presidentit, këto zgjedhje nuk janë të partive politike, por të qytetarëve.

Ora 08:43 Goditi me grusht Isain, arrestohet 33-vjeçari, procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër

Policia e Kolonjës ka arrestuar një 33-vjeçar dhe po procedon në gjendje të lirë një tjetër shtetas, i cili ka penguar automjetin e kryebashkiakut Erion Isai.

Sipas bluve, automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në një moment shtetasi E. K., e ka goditur me grusht në fytyrë, Isain.

Ora 08:32 Voton Belind Këlliçi: Ftoj qytetarët e Tiranës të votojnë

Kandidati nga koalicionin “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka votuar i shoqëruar nga nëna e tij në shkollën “Dora d’Istria”.

“Sapo kreva detyrën time si qytetar. I ftoj të gjithë të kryejnë detyrën të gjithë të rinjtë, të gjithë ata që i kam takuar Sot është dita e madhe, është dita ku keni në dorë fatet e këtij qyteti. Kam një apel për rininë për naçut e Tiranës, për të gjithë ata që mendojnë se e kanë më të lehtë ikjen i them jo, hajdeni votoni”, tha ndër të tjera Këlliçi.

Ora 08:24 Elbasan, për herë të parë votim elektronik/ Boçi e Llatja në garën për kryebashkiak

Qarku i Elbasanit konsiderohet si një qark i rëndësishëm, ku shtrihet në 7 bashki, me 351 mijë e 455 votues dhe me 509 qendra votimi në total. Në Bashkinë e Elbasanit, në garë janë Gledian Llatja nga Ps dhe Luciano Boci nga koalicioni bashke fitojme. Partia Demokratike nuk ka një përfaqësues në garën e 14 majit.

Kjo është edhe bashkia më e madhe e qarkut, me një numër votuesit prej 171 mijë persona, me 224 qendra votimi. Risi e këtyre zgjedhjeve për këtë bashki, është votimi elektronik, që bëhet për herë të parë në këtë qytet, ku për rezultatin nuk do të duhet të pritet më shumë se 30-60 min. Llatja garon për një mandat të dytë, ndërsa Luciano Boci, la mandatin e deputetit, për të qenë pjesë e kësaj gare megjithëse në zgjedhjet parlamentare të 2021 mbledhi një numër rekord votash personale duke “thyer herësin”.

Bashkia Elbasan ka nën administrimin e saj, Elbasanin si qytet dhe 116 fshatra.

Ora 08:23 Shqipëria zgjedh kryebashkiakët e rinj, Policia: Deri më tani situatë e qetë pranë qendrave të votimit

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me nisjen e procesit zgjedhor për zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve në vendin tonë.

Sipas policisë mësohet se gjatë shpërndarjes së materialeve zgjedhore nëpër qendrat e votimit në asnjë qytet nuk ka shfaqur probleme.

Gjithashtu mësohet se punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të planëzuar me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore, nisën prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 14 maj 2023, dorëzimin e qendrave të votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.

Ora 08:09 Durrësi i drejtohet kutive të votimit, nisin “ethet” e garës mes Sakos dhe Carës

Shqipëria voton sot 61 kryetarët bashkiakë. Një garë e fortë paraqitet në qytetin e Durrësit, ku gazetari i ABC News, Arlind Isa ka ndarë disa detaje paraprake këtë mëngjes për “Maratonën Zgjedhore”.

Ai ka rikujtuar se në garë janë dy kandidatë përballë njëri tjetrit, Emirjana Sako e Partisë Socialiste dhe Igli Cara nga koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Gazetari theksoi se Durrësi është një pikë e rëndësishme për kryeministrin Edi Rama, i cili në zgjedhjet e vitin 2021 kandidoi për deputet në këtë qark dhe në Vlorë, edhe në përfundim zgjodhi Durrësin.

Ora 08:08 Shkodra voton kryetarin e bashkisë/ Në garë Benet Beci i Partisë Socialiste dhe Bardh Spahia i “Bashkë Fitojmë”

Qarku Shkodër është ndër qarqet më të mëdha në vend si territor ku të drejtë vote kanë 265 mije e 287 shtetas.

I ndarë në 5 bashki ku më e madhja është bashkia Shkodër e cila ka gjithsej 10 njësi administrative. Në garë për kryetar Bashkie janë Benet Beci i Partisë Socialiste dhe Bardh Spahia “Bashkë Fitojmë”.

Bashkia e Shkodrës ka gjithsej 159 mije e 31 votues të shpërndarë në 248 qëndra votimi, ku numrin më të madh votuesish e ka qyteti i Shkodres me 95 mije 817 votues, ndërsa 10 njësitë administrative të Bashkisë Shkodër në 107 qëndra votimi të drejtë vote kanë 72 mije e 126 votues.

Ora 08:03 Nuk punon pajisja e identifikimit elektronik, vonesa në disa qendra votimi nëpër qytete

Ka nisur procesi i votimit në të gjithë bashkitë e vendit për zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve të rinj. Sipas gazetarëve të ABC News që janë në terren në çdo qark kanë raportuar se në disa qendra votimi ka pasur vonesë për shkak të problemeve me pajisjen e identifikimit. Problem në disa qendra votimi në lidhje me këtë pajisje janë raportuar në Durrës, Vlorë, Shkodër, Kukës dhe në Fier.

Ora 07:34 Identifikimi elektronik, tërhiqen disa prej operatorëve. Në Elbasan, aksesi në internet problem për votimin elektronik në fshatra

Në 3 bashki të rëndësishme, jo vetëm identifikimi, por edhe votimi dhe numërimi i votave, do të jetë elektronik, bëhet fjale për bashkitë, Kamez, Vore dhe Elbasn. Elbasani e Kamza e aplikojnë këtë proces për herë të parë, ndërsa Vora e ka ekpserincë të përsëritur, pasi e bëri edhe në zgjedhjet e pjesshme të vitit të shkuar. Gazetarja Esiona Konomi, raportoi për ABC News se në Elbasan ka një problematik sa I përket votimi elektronik sepse në disa fshatra nuk kanë akses. Në Kamëz dhe Vorë nuk raportohen problem të karakterit teknik. Problem në rang kombëtar mbetet pajisja që bën identifikimin elektronik të zgjedhjeve. Ka të bëjë me mungesën e operatorëve që të përdoren pajisjen. Disa operatorë nuk janë paraqitur ende në qendrat e votimit për të marrë në dorë pajisjet.

Ora 06:50 Dhunë pak para se të nisë votimi, goditet kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai, nga simpatizanti i “Bashkë Fitojmë”

Gjatë orëve të natës është kërcënuar dhe goditur kryebashkiaku dhe njëkohësisht kandidati i PS-së për bashkinë e Kolonjës Erion Isai. Sipas informacioneve mësohet se Isai është goditur me grusht nga një simpatizant i koalicionit Bashkë Fitojmë ku prezent ka qenë edhe kandidati për kryebashkiak nga ky koalicion. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!