Në kulmin e situatës së rënduar nga zjarret në vend, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, është larguar nga detyra.
Burime për ABC News nga Minisria e Brendshme sqaruan se Cara ka paraqitur dorëheqjen një ditë më parë, ndërsa urdhri për largimin e tij nga detyra është firmosur paraditen e së martës.
Arsyet e dorëheqjes, që vjen në një moment kritik për vendin, mbeten ende të paqarta, por sipas burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, Cara nuk ka dhënë shumë detaje duke u shprehur se largimi i tij vjen për arsye personale.
Arben Cara u komandua në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës në shkurt të vitit 2024, duke zëvendësuar në këtë detyrë Holta Kominon.
Largimi i tij vjen në një periudhë kur strukturat zjarrfikëse dhe emergjencat civile janë përballur me një situatë të vështirë për shkak të përhapjes së zjarreve në disa zona të vendit.
Ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i Arben Carës në drejtimin e Shërbimit Zjarrfikës./abcnews.al


