Vazhdojnë protestat anti-qeveritare, dhjetëra të arrestuar në Kubë

schedule12:28 - 13 Korrik, 2021

schedule 12:28 - 13 Korrik, 2021

Mediat Kubane kanë raportuar se dhjetëra persona janë arrestuar në Kubë pasi u bashkuan në protestat më të mëdha që kanë ndodhur në vend prej pothuajse 30 vitesh. Protestuesit kubanë i janë kundërvënë qeverisë komuniste të ishullit, teksa protesta të tilla në Kubë përveçse janë të rralla, janë të paligjshme.

Pamjet që kanë qarkulluar nëpër media kanë treguar se krahas arrestimeve forcat kubane të rendit kanë ushtruar dhunë në forma të ndryshme ndaj protestuesve.

Në një fjalim televiziv që zgjati 4 orë, Presidenti I Kubës Miguel Diaz Canel i quajti protestuesit mercenarë, ndërsa Ministri i tij i Jashtëm artikuloi bindjen e tij se protestat janë financuar dhe nxitur nga SHBA.

Nga ana tjetër, njerëzit që dolën në rrugë thanë se ishin të zemëruar për kolapsin e ekonomisë, mungesën e ushqimit dhe ilaçeve, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe për keq-menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë.

Megjithatë, qeveria Kubane zgjodhi dhunën në vend të dëgjimit të kërkesave të popullit. Sipas shifrave të nxjerra nga autoritetet vendase vetëm përgjatë dy ditëve të fundit janë arrestuar më shumë se 100 persona.

Ndërkohë, nga BBC është bërë e ditur se përgjatë tre ditëve të fundit, kompania shtetërore e telekomunikacionit ETECSA ka ndërprerë internetin pothuajse në të gjithë ishullin. Kryesisht është bllokuar aksesi në rrjetet e komunikimit si what’s up, Facebook, Instagram dhe telegram.

Ndërkohë autoritetet e rendit I kanë shtuar forcat policore në të gjithë qytetet më të mëdha të Kubës.

Presidenti Miguel Díaz-Canel fajësoi sanksionet e SHBA mbi Kubën – të cilat kanë qenë në fuqi në forma të ndryshme që nga viti 1962 në lidhje me mungesat e produkteve bazë, duke i quajtur ato një “politikë të mbytjes ekonomike”.

SHBA – e cila ka një histori dekada të vjetër të luftimeve me Kubën – ka thënë se qëndron me Kubanët dhe u bëri thirrje atyre në qeveri që të përmbahen nga dhuna dhe të dëgjojnë njerëzit e saj.

“Populli Kuban po pretendon me guxim të drejtat themelore dhe universale,” tha Presidenti i SHBA Joe Biden.

Protestat anti-qeveritare filluan me një demonstratë në qytetin e San Antonio de los Baños, në jug-perëndim të Havana-s, por shpejt u përhapën në të gjithë vendin./abcnews.al