Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Valë protestash në Europë/ Nga pakënaqësia sociale te lufta hibride, demonstratë të dhunshme

schedule22:24 - 18 Tetor, 2026

schedule 22:24 - 18 Tetor, 2026

Evropa po përballet me një valë protestash sociale dhe politike. Nga Franca në Itali, Gjermani dhe Spanjë, qytetarët kanë dale edhe kete te diele në rrugë kundër rritjes së kostos së jetesës, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe politikave qeveritare. Ndërsa shumica kërkon zgjidhje për problemet e përditshme, në disa qytete demonstratat janë shoqëruar me dhunë, zjarrvënie dhe dëme materiale.

Franca është ndër vendet më të prekura nga protestat. Rreth 700 mijë persona morën pjesë në demonstratat e fundjavës, ndërsa autoritetet raportuan mbi 1800 arrestime. Parisi ishte ndër zonat më të prekura nga incidentet.

Protestat u nxitën nga rritja e çmimeve të karburanteve, kostoja e jetesës dhe pakënaqësia për shërbimet publike, veçanërisht në arsim. Në disa qytete, grupe personash të maskuar sulmuan biznese, dogjën automjete dhe u përplasën me policinë, ndërsa shumica e demonstratave vijoi në mënyrë paqësore.



Në Limoges, një zjarr përfshiu një godinë historike. Presidenti Emmanuel Macron dënoi dhunën dhe kërkoi që autorët të mbajnë përgjegjësi.

ITALI

Tensionet u përhapën edhe në Itali, ku demonstratat u shoqëruan me përplasje në Milano dhe Bolonja.

Në Milano, pranë Katedrales Duomo dhe Galerisë Vittorio Emanuele II, policia përdori gaz lotsjellës pasi u sulmua me gurë dhe sende të tjera. Persona të maskuar tentuan të hynin në galerinë tregtare, ndërsa dyqanet mbyllën qepenat dhe stacioni i metrosë Duomo u mbyll përkohësisht.

Në qendër të qytetit, grupe prej disa qindra personash sulmuan dyqane, thyen vitrina dhe u vunë zjarr kazanëve të mbeturinave. Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi aktet e dhunës.

GJERMANI DHE SPANJË

Në Gjermani, më shumë se 45 mijë nxënës dhe të rinj protestuan në rreth 100 qytete, përfshirë Berlinin, Hamburgun, Mynihun dhe Frankfurtin, kundër planeve për zgjerimin e shërbimit ushtarak dhe mundësisë së rikthimit të rekrutimit të detyrueshëm.

Në Spanjë, kriza e strehimit dhe rritja e çmimeve të qirave kanë nxitur protesta në Madrid. Demonstruesit kanë ngritur tenda në sheshin Puerta del Sol, duke kërkuar zgjidhje për kostot e larta të banimit dhe dëbimet.

Përtej protestave, një tjetër front po merr rëndësi për sigurinë evropiane: lufta hibride. Ajo nuk zhvillohet vetëm përmes fuqisë ushtarake, por edhe përmes sulmeve kibernetike, propagandës, dezinformimit dhe operacioneve të ndikimit që synojnë të shfrytëzojnë krizat e brendshme.

Pamjet e dhunës në rrugë, lajmet e rreme, videot jashtë kontekstit dhe mesazhet e shpërndara në mënyrë të koordinuar po e zhvendosin një pjesë të konfrontimit nga terreni fizik në hapësirën informative. Në këtë betejë, objektivi nuk është vetëm ndikimi te opinioni publik, por edhe krijimi i një klime të vazhdueshme mosbesimi, ku institucionet perceptohen si të dobëta, shoqëritë ndahen në kampe kundërshtare dhe çdo krizë shndërrohet në burim të ri destabilizimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!