Emri i tij ishte harruar në tabelën elektronike të stadiumeve. Nuk është pak për një sulmues të rrijë 12 javë pa shënuar, dhe padyshim që Myrto Uzuni e ndjente thellë këtë, veçse si gjithmonë ai kishte besim se do të vinte momomenti i duhur.
Ky çast erdhi në duelin ndaj Vankuverit në ligën profesioniste amerikane të futbollit, ndonëse Ostin u mund 2-1 në shtëpi, në përfundim të sfidës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi për 1-0, duke I dhënë avantazhin e përkohshëm të vetëve në 41’.
Një lehtësim për të, edhe pse nga 12 ndeshje pa shënuar, 5 kanë qenë mungesa për shkak dëmtimi, dhe një mungesë për shkak pezullimi. Në total, Uzuni ka 7 gola e 2 asistë në 22 ndeshje të kampionatit, dhe 11 rrjeta e 3 asistë në 27 sfida gjithsej në sezon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jo keq për standardet e tij, pavarësisht luhatjeve të kohëve të fundit. Ylli kuqezi u mendua se dha edhe asistin për barazimin 2-2, por goli u anuluar për një faull të kryer më parë ndaj një mbrojtësi të Vankuverit.
Skuadra kanadeze përmbysi rezultatin në pjesën e dytë dhe Ostin është në pozitë shumë të vështirë, në vendin e parafundit në Konferencën Perëndimore me vetëm 31 pikë në 30 ndeshje./abcnews.al


