U dëmtua nga tërmeti, restaurohet “Kulla C” e Kalasë së Durrësit, Kim: Rroftë miqësia amerikano-shqiptare

schedule18:04 - 30 Qershor, 2022

schedule 18:04 - 30 Qershor, 2022

Përfundon restaurimi i kullës C të kalasë së Durrësit.

Ajo u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u rindërtua me mbështetjen financiare të qeverisë amerikane dhe asaj suedeze.

Në ceremoninë e përurim mori pjesë ambasadorja e SHBA-së dhe ajo e Suedisë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara është krenare që mundi të mbështeste restaurimin e kullës C përmes fondit të ambasadorit të SHBA-së për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe jemi shumë të lumtur, që bashkëpunuam me miqtë tanë të ambasadës suedeze dhe ministrinë shqiptare të Kulturës për këtë sipërmarrje madhore. Rroftë miqësia amerikano-shqiptare, rroftë Durrësi dhe rroftë kjo kullë antike”, tha ambasadorja Kim.

“A nuk është e mahnitshme, të mendosh se përgjatë gjithë kësaj historie, kjo kullë ka qenë një pikë mbrojtje dhe sulmi? Shumë kanë ardhur e të tjerë kanë shkuar, bizantinët, venecianët, otomanët, e të tjerë me radhë, por ja ku jemi tani këtu bashkë. Ne ishim më të fortë së bashku dhe ishim krenarë që të mund të ishim në partneritet dhe të mund të rindërtonim së bashku. Kështu u rindërtuan tri site të rëndësishme, si Kruja, Preza dhe Durrësi”, tha ambasadorja Elsa Hastad.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Eva Margariti ka sugjeruar që të emërtimi i kullës C të ndryshohet. Tha se duhet vendosur një emër më dinjitoz por këtë ja la në dorë arkeologëve.

Kjo është hera e dytë që kulla e kalasë të Durrësit dëmtohet nga fatkeqësitë natyrore. Fillimisht ajo u rrënua nga tërmeti i vitit 1273 e më pas në 2019, në të dyja rastet u rindërtua me gurët origjinalë./Abcnews.al/