Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një tjetër përshkallëzim të luftës tregtare me Kanadanë, duke deklaruar se tarifat për automjetet, pjesët e makinave dhe çelikun kanadez do të rriten në 50%.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump bëri të ditur se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, duke argumentuar se prodhimi në Shtetet e Bashkuara do të përjashtohet nga këto tarifa.
“Prodhoni në SHBA dhe tarifat janë zero. Kanadaja nuk do të trajtohet më si një vend!”, shkroi presidenti amerikan.
Sipas Financial Times, pjesa më e madhe e çelikut kanadez që importohet në SHBA tashmë i nënshtrohet një tarife prej 50%.
Bisedimet tregtare dështuan
Vendimi i ri i administratës Trump vjen vetëm pak ditë pas dështimit të negociatave tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës.
Shtetet e Bashkuara vendosën të shtunën tarifa shtesë për rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze, përveç tarifave ekzistuese për çelikun, aluminin, lëndën drusore dhe automjetet.
Masa e re pritet të rrisë presionin mbi industrinë automobilistike kanadeze dhe të thellojë tensionet ekonomike mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, kryeministri kanadez Mark Carney ka paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj masave amerikane, duke deklaruar se Kanadaja do të reagojë me masa ekonomike “dollar për dollar”.
Përshkallëzimi i ri rrezikon të shtojë pasigurinë për kompanitë dhe zinxhirët e furnizimit në sektorët e automobilave dhe industrisë së rëndë në të dyja anët e kufirit.


