Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Tajvanin që të mos shpallë zyrtarisht pavarësinë nga Kina, vetëm disa orë pas përfundimit të samitit dyditor me presidentin kinez, Xi Jinping, në Pekin, shkruan BBC.
“Nuk po kërkoj që dikush të shpallë pavarësinë”, deklaroi Trump në një intervistë për Fox News.
Trumpi ka thënë më herët se nuk kishte marrë “asnjë zotim në asnjërën anë” lidhur me ishullin vetëqeverisës, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes me forcë.
SHBA-ja prej kohësh e mbështet Tajvanin, përfshirë edhe përmes detyrimit ligjor për t’i ofruar mjete vetëmbrojtjeje. Megjithatë, Washingtoni është përpjekur vazhdimisht të ruajë balancën mes mbështetjes për Tajvanin dhe marrëdhënieve diplomatike me Kinën.
Qëndrimi zyrtar amerikan mbetet se SHBA-ja nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit, ndërsa marrëdhëniet me Pekinin varen nga pranimi i parimit se ekziston vetëm një qeveri kineze.
Shumë tajvanezë e konsiderojnë veten pjesë të një kombi të veçantë, megjithatë shumica mbështesin ruajtjen e status quo-së, ku Tajvani as nuk shpall pavarësinë dhe as nuk bashkohet me Kinën.
Në intervistën për Fox News, Trump përsëriti se politika amerikane ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar.
“Ne supozohet të udhëtojmë mijëra kilometra për të luftuar në një luftë. Nuk po kërkoj këtë. Dua që gjërat të qetësohen. Dua që Kina të qetësohet”, ka thënë Trump.


