Trump në Kongres bën thirrje për bashkëpunim mes forcave politike

schedule11:29 - 31 Janar, 2018

schedule 11:29 - 31 Janar, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e përvitshëm për gjendjen e Shtetit në Kongres paralajmëroi vendet që kundërshtuan vendimin e tij për Jeruzalemin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se kjo çështje tregoi kundërshtarët e Uashingtonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin të mbajtur në Kongres për gjendjen e vendit paralajmëroi vendet që kanë kundërshtuar në Kombet e Bashkuara, vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. “Taksapaguesit amerikanë u dërgojnë me bujari këtyre vendeve miliarda dollarë ndihma çdo vit. Kjo është arsyeja përse sonte po i kërkoj Kongresit të miratojë një ligj që dollarët amerikanë për ndihmat e huaja t’u shërbejnë gjithmonë interesave amerikane dhe t’u shkojnë vetëm miqve të Amerikës. Ndërsa forcojmë miqësitë në mbarë botën, ne gjithashtu po rikthejmë qartësinë se cilët janë kundërshtarët tanë”, tha Trump. Vlen të theksohet fakti që Shqipëria mbështeti rezolutën që dënonte vendimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Më tej ai kërkoi bashkëpunim me demokratët dhe republikanët për të mbrojtur qytetarët amerikanë. “Ky është momenti amerikan i ri. Nuk kemi pasur kurrë më parë një moment më të mirë për të filluar të jetojmë ëndrrën amerikane”, shton kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Kërkesa e Trump për bashkëpunim mes palëve lidhet me çështjen e emigracionit. Ai përsëritë ofertën për demokratët lidhur me dhënien e nënshtetësisë për 1.8 milionë emigrantë të paligjshëm ndërsa kërkoi në këmbim fonde për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën. Gjithashtu kërkoi shtimin e agjentëve dhe mbylljen e programit të llotarisë amerikane si dhe limitimin e nyjes migratore. “Bashkohuni dhe merrni rezultate”, i kërkoi ai Kongresit.

Në adresimin e tij, Trump nënvizoi se falë politikave për shkurtimin e taksave “janë krijuar 2.4 milion vende të reja pune dhe pagat kanë shënuar rritje”. Numri 1 I Shtëpisë së Bardhë nuk harroi dhe arenën ndërkombëtare. Ai vendosi në shënjestër Korenë e Veriut, Kinën, Rusinë dhe Iranin. “Eksperienca e kaluar na ka mësuar që lëshimet të çojnë vetëm në aggression dhe provokime. Duhet të shikojmë vetëm karakterin e prishur të regjimit të Koresë së Veriut për të kuptuar natyrën e kërcënimit bërthamor që mund të përfaqësojë për Amerikën dhe aleatët e saj”, nënvizon presidenti amerikan. Ndërsa më tej shton: “Kina dhe Rusia po kërcënojnë ekonominë tonë, interesat tona dhe vlerat tona”.

Në emër të demokratëve u përgjigj anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Joe Kennedy III. Ai akuzoi presidentin Trump se po përçan vendin. Duke folur nga një garazh në Masaçusets, përfaqësuesi i demokratëve theksoi se do të ndihmojë emigrantët, madje disa prej tyre iu drejtuar në spanjisht. “Ju jeni pjesë e historisë sonë. Ne do të luftojmë për ju. Ne nuk do të largohemi,” tha 37-vjeçari Kennedy. “Kjo administratë nuk është vetëm duke synuar ligjet që na mbrojnë – ata po synojnë vetë idenë se ne të gjithë jemi të denjë për mbrojtje”, shton ai.
Ndërkohë, të paktën 14 anëtarë demokratë të Kongresit bojkotuan fjalimin e presidentit Trump./abcnews.al