Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump kusht Iranit: Marrëveshje, vetëm nëse heq dorë nga armët bërthamore

schedule08:24 - 30 Maj, 2026

schedule 08:24 - 30 Maj, 2026

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje me Iranin vetëm nëse plotësohen kushtet themelore të vendosura nga Uashingtoni, deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pas një takimi të gjatë në Dhomën e Situatave.

Takimi, kishte në fokus shqyrtimin e një marrëveshjeje kornizë për zgjatjen e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Megjithatë, ai përfundoi pa një vendim përfundimtar dhe pa njoftime zyrtare, ndërsa palët vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje mbi çështje kyçe, veçanërisht programin bërthamor iranian.



Sipas zyrtarit amerikan, Trump mbetet i hapur ndaj një marrëveshjeje vetëm nëse ajo përputhet me interesat strategjike të SHBA-së dhe respekton plotësisht vijat e kuqe të administratës së tij.

“Presidenti Trump do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse është e mirë për Amerikën dhe nëse kushtet e tij përmbushen. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, tha zyrtari.

Sipas deklaratave të mëparshme të Trump, marrëveshja e propozuar përfshin rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë, heqjen e minave detare, zotimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore dhe transferimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në SHBA.

Presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu se është i gatshëm të heqë bllokadën amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar kalimin normal të anijeve tregtare, por ka këmbëngulur që Teherani duhet të pranojë largimin dhe shkatërrimin e uraniumit të pasuruar.

Ndërkohë, një memorandum mirëkuptimi i arritur mes dy vendeve parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë dhe nisjen e negociatave për të ardhmen e programit bërthamor iranian.

Nga ana tjetër, Irani ka reaguar me skepticizëm ndaj deklaratave amerikane. Agjencia iraniane e lajmeve Fars ka kundërshtuar pretendimet se marrëveshja përfshin shkatërrimin e materialit bërthamor, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se prioriteti i Teheranit mbetet përfundimi i konfliktit dhe jo negociatat për programin bërthamor.

Tensionet mbeten të larta edhe për shkak të akuzave të ndërsjella për shkelje të armëpushimit. Së fundmi, Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kishte goditur një bazë ajrore amerikane në Kuvajt, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) e cilësoi sulmin si një shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!