Tre shqiptarë në seminar, tre emrat e përzgjedhur nga UEFA

schedule13:05 - 13 Gusht, 2022

schedule 13:05 - 13 Gusht, 2022

Tre arbitra shqiptarë do të marrin në një seminar të UEFA-s në fund të muajit gusht për të marrë certifikimin si VAR dhe AVAR. Bëhet fjalë për arbitrat Enea Jorgji, Juxhin Xhaja, Kreshnik Barjamaj, të cilët pas këtij seminari mund të kenë mundësi të marrin pjesë në ndeshje ndërkombëtare të organizuar nga UEFA si arbitra të VAR-it dhe AVAR-it.

Një tjetër hap i rëndësishëm ky për kualifikimin e mëtejshëm të arbitrave shqiptarë në nivel ndërkombëtar e që sigurisht do të sjellë përvojë të vyer edhe për futbollin shqiptar në vazhdimësi.

Pak kohë më parë Komiteti i Arbitrave të UEFA-s vendosi që arbitri shqiptar Enea Jorgji të jetë pjesë e projektit “Talent & Mentor 2022” të UEFA-s për arbitrat e nivelit të kategorisë së parë, duke i hapur rrugën arbitrit shqiptar që brenda pak kohe të jetë ndër emrat e arbitrimit elitar në UEFA.

Gjatë muajit qershor arbitrja Erinda Kume u përzgjodh nga UEFA për të marrë pjese si asistente në fazën finale të Kampionatit Europian U-19 për femra, që u zhvillua në Republikën Çeke, duke qenë e hera e parë që një zyrtare femër nga Shqipëria merr pjesë në një event të kësaj rëndësie.

Përfshirja e arbitrave shqiptarë në trajnime dhe promovimi që po i bën na vazhdimësi UEFA tregon punën e mirë të bërë me kualifikimin e arbitrave shqiptare dhe ngritjen e nivelit të arbitrimit në vend. / fshf.org