Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se ka farmaci që po bëjnë biznes me barnat për trajtimin e Covid në banesë. Sipas Ramës kjo ndodh edhe në vende të tjera.
Rama tha se për shkak të frikës qytetarët janë të prirur të marrin shumë ilaçe, megjithatë theksoi se në këtë histori po bëhet biznes nga farmaci që japin barna pafund, të cilat nuk janë të nevojshme.
“Jo vetëm këtu, mesa unë kuptoj dhe këtë mund ta konstatoni në artikuj edhe në vende të tjera, njerëzit priren të marrin shumë ilaçe dhe megjithëse kjo është diçka që kundërshtohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritete shëndetësore. Mesa duket frika, kujdesi, ankthi, nevoja psikologjike i shtyn njerëzit të marrin shumë ilaçe, kur ndërkohë ajo që përsëritet në të gjitha nivelet është që ky virus duhet trajtuar me disa kura bazë pa u turrur për të mbingarkuar veten me ilaçe për sa kohë që gjendja është jo kritike. Kjo është gjëja që mund ta them. Aspekti tjetër për fat të keq është se në këtë histori bëhet biznes, jo në Shqipëri, por kudo nga farmacitë dhe ju jepet njerëzve ilaçe pa fund. E kemi thënë në mënyrë të përsëritur që gjatë e udhës është të merret receta e mjekut të familjes. Kur gjendja bëhet kritike janë autoriteteve që vendosin dhe të çojnë në spital”, tha Rama.
Gjithashtu, edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pranoi se ka raste të devijimit të protokollit të trajtimit të të sëmurëve në shtëpi.
“Nuk mund të them që kjo çështje që ju ngritët nuk është shqetësuese. Edhe për strukturat tona dhe ekspertët mbetet një shqetësim elementi që ka të bëjë me devijimin nga protokollet e standartizuara. Kemi protokoll për trajtimin në banesë, një protokoll që ndiqet nga mjeku i familjes. Protokolli i cili është i ndryshueshëm dhe po vlerësohet janë protokolle për tu zbatuar nga mjekë që janë të kualifikuar. Sa i përket protokolleve spitalore dhe bëj thirrje të cilët vërejnë që vijnë qytetarë në kushte të agravuara shëndetësore. Do të thotë që e traskurojnë veten, duke marrë terapi në banesë. Në parimet e mjekësisë të mos bësh dëm është e para. Apeli për qytetarët është në rast agravimi duhet drejtuar në spitale te mjekët që janë të specializuar. Trajtim në banesë ka protokolle specifike”, tha ministrja. g.v/abcnews.al


