Katër persona kanë pësuar djegie në trup si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në Porto Palermo, ku dyshohet se një rrjedhje benzine ka shkaktuar përfshirjen në flakë të motorit të një skafi.
Të plagosurit janë Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në momentin kur personat po punonin për riparimin e motorit të skafit. Në rrethana ende të paqarta, dyshohet se një cigare ka shkaktuar zjarrin dhe motori është përfshirë nga flakët, më pas ka ndodhur shpërthimi, duke shkaktuar dëmtime te katër personat që ndodheshin pranë mjetit.
Dy prej të dëmtuarve kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe, për shkak të gjendjes së tyre, janë nisur drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Dy personat e tjerë raportohet se kanë pësuar dëmtime më të lehta dhe ndodhen në gjendje më të stabilizuar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur shërbimet përkatëse, të cilat kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë bërë të mundur transportimin e të dëmtuarve për në spital.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes. Paraprakisht, dyshohet se benzina mund të ketë shkaktuar shpërthimin, por shkaqet e sakta dhe mënyra se si ka nisur zjarri pritet të përcaktohen në vijim, pas hetimeve dhe ekspertizës në vendngjarje.
Ngjarja ka shkaktuar alarm në zonën e Porto Palermos, ndërsa vijojnë të mblidhen të dhëna për të sqaruar dinamikën e plotë të incidentit dhe gjendjen shëndetësore të personave të dëmtuar./abcnews.al


