Një ngjarje tragjike ka tronditur mesditën e së mërkurës fshatin Domen, në njësinë administrative Postribë të Shkodrës, ku një banesë është përfshirë nga flakët, duke i marrë jetën një gruaje 24-vjeçare dhe dy fëmijëve të saj të mitur.
Viktimat janë Blerina Çobaj, 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj. Sipas të dhënave paraprake, në momentin e rënies së zjarrit ata ndodheshin brenda banesës dhe nuk kanë mundur të shpëtojnë.
Banesa ndodhet në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike, çka ka vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Kur ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje, shtëpia ishte pothuajse tërësisht e shkrumbuar.
Sipas informacioneve të siguruara, familja kishte më shumë se 20 vite që nuk jetonte në këtë banesë. Vetëm pak ditë më parë ata kishin nisur punën për pastrimin e ambientit përreth shtëpisë, ndërsa këtë të mërkurë kishin shkuar së bashku në banesën e vjetër.
Mësohet se bashkëshorti i Blerina Çobajt nuk ndodhej në banesë në momentin e zjarrit. Ai ishte duke punuar në një tokë bujqësore, në një distancë nga shtëpia, kur flakët përfshinë objektin.
Familja jetonte në Gjermani dhe kishte vetëm rreth një javë që ishte kthyer në Shqipëri.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e kësaj tragjedie të rëndë.


