Tirana rinovon me trajnerin Ze Maria

schedule16:38 - 1 Qershor, 2018

schedule 16:38 - 1 Qershor, 2018

Tirana rinovon kontratën e trajnerit Ze Maria. Braziliani dhe presidenti Halili ranë dakord për një bashkëpunim të ri, dyvjeçar

As puna shumë e mirë nuk ishte garanci absolute. Ze Maria u mendua se nuk do të mbijetonte edhe një sezon në stolin e Tiranës, por ia doli mbanë duke rinovuar.

Trajneri brazilian dhe presidenti i klubit, Refik Halili, e gjetën më në fund gjuhën e përbashkët për një kontratë 2-vjeçare. Akordi i mëparshëm mes palëve përfundonte pikërisht në fund të majit, pra nuk pati vonesa të mëdha.

Nuk jepen hollësi financiare, por besohet se Ze Maria do të vazhdojë të përfitojë të njëjtën rrogë si edhe më parë, me vlerë prej 15 000 eurosh në muaj, duke përfshirë edhe pagesën e ndihmësve.

Tirana njoftoi në faqen e saj zyrtare në FB se bashkë me trajnerin do të vazhdojë në detyrë edhe stafi I tij, I përbërë nga Marko Aurelio e Rafael Kosta.

Nën drejtimin e Ze Marisë Tirana u ringjit në Superligë, një vit pas rënies, pasi u shpall kampione e Kategorisë së Parë.

Kryeqytetasit dominuan ndaj rivalëve, por pritet të shihet sesi do ta përballojnë konkurrencën shumë më të fortë në elitë, aq më tepër që klubi ndodhet në vështirësi financiare.

UEFA nuk ia dha paratë e pjesëmarrjes në Ligën e Europës vitin e kaluar, për shkak të fshehjes së borxheve ndaj tatimeve prej 432 000 eurosh.

Po ashtu, besohet se klubi ka detyrime mbi 200 000 euro në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa llogaritë e tij janë vazhdimisht të bllokuara nga përmbaruesit, për shkak të gjyqeve të shumta të humbura dhe borxheve ndaj palëve të tjera. /abcnews.al