Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u nderua këtë të enjte me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës. Analisti Mentor Nazarko e konsideroi këtë nderim të detyruar për një figurë që ka shënjuar historinë e kombit shqiptar më shumë se 30 vjet.
I ftuar në emisionin “Ballkan Update”, ai tha se këtë detyrim po e bën Shqipëria dhe jo Kosova, me të cilën ka raporte më të rëndësishme.
“Është një nderim i detyruar për një figurë që ka shënjuar historinë e kombit shqiptar më shumë se 30 vjet. Ai është aktivist i çështjes kombëtare në vitet ’90, nga ata themeluesit e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtues i ushtrisë çlirimtare në Maqedonisë, edhe partisë që drejton dhe sot që ka përcaktuar gjithë procesin emancipues të shqiptarëve në pikëpamje kushtetuese, ekonomike, kulturore, etj. Kështu që në këtë kuptim, është një nderim i detyruar, i vonuar që po e bën Shqipëria, nuk po bën Kosova dhe pse ai ka raporte më të rëndësishme në Kosovë. Ky nderim ndodh në kuadër dhe me fushatën elektorale, ka domosdoshmërisë dhe ndikim elektoral. Shqipëria tregon qartë se do të preferonte që BDI të ishte fituese në këto zgjedhje”, u shpreh Nazarko./abcnews.al


