Në një konferencë për shtyp në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se vendi duhet të përmbushë detyrimet ndërkombëtare nëse dëshiron perspektivë europiane, duke iu referuar këtu Gjykatës Speciale dhe demarkacionit me Malin e Zi.
Në një konferencë për shtyp në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë mesazhin e qartë se krijimi i Gjykatës Speciale është i pashmangshëm, pavarësisht se në të njëjtën kohë është edhe i padrejtë.
Hashim Thaçi: “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës. E themelojmë gjykatën sepse nuk kemi as pse frikësohemi, nuk kemi pse të hezitojmë. Është e padrejtë, por duhet ta gëlltisim për hir të partneritetit me SHBA dhe NATO-n”.
Në vijim të konferencës, kreu i shtetit u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë sa më shpejt marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi t’i shpëtojë izolimit dhe të ketë perspektivë të qartë europiane.
Hashim Thaçi: “Nëse ne veprojmë mençurisht dhe bashkarisht si skemë politike dhe institucionale, që të përmbyllim çështjen e demarkacionit, besoj se do të hapet një mundësi e re. Nëse veprojmë mençurisht dhe e kryejmë atë nuk do të ketë asnjë padrejtësi ndaj Kosovës. Është dicka në duart tona, prandaj deputetët duhet të veprojnë në mënyrë unike, të vënë interesin e shtetit mbi të gjitha”.
Më tej Thaçi ka prekur edhe çështjen e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, për të cilën ka premtuar se shumë shpejt drejtësia kosovare do të dalë me rezultate konkrete. Ndërkohë, ai ka përjashtuar pistën e një vrasjeje me sfond ndëretnik.
Hashim Thaçi: “Institucionet e Kosovës në një të ardhme të afërt do të dalin me rezultate konkrete. Po ndjek nga afër institucionet përgjegjëse që po merren me zbulimin, identifikimin dhe mundësisht kapjen e autorit. Të dhënat e para janë se ka qenë një akt kriminal e mafioz. Ka të dhëna të sakta se ka patur motive politike, por jo ndëretnike”./abcnews.al