Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda për rrjetin e trafikimit të shqiptarëve drejt SHBA, Kanadasë e Anglisë ka zbuluar disa laboratorë të falsifikimit të dokumenteve në Tiranë. ABC News sjell detaje të dosjes hetimore për një nga bazat mbështetëse dhe zbulimin e një prej zotëruesve të saj.
Falsifikimi i dokumenteve, që janë përdorur trafikimin e jashtëligjshëm të gati 1 mijë shqiptarëve drejt SHBA, Kanadasë dhe Anglisë nuk është bërë në një laborator të vetëm.
Hetimi i Krimeve të Rënda që çoi në pranga 39 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet trafiku ka zbuluar se baza e falsifikimit në banesën e bashkëshortët Eno e Liri Muçollari tek “Kodra e Diellit” ndihmohej edhe nga të tjera të ngjashme në kryeqytet.
ABC News ka siguruar të dhëna nga dosja hetimore, sipas të cilës, një tjetër vend ku prodhoheshin dhe mbaheshin dokumente false ka qenë një banesë në rrugën “Dali Ndreu” në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një apartament në një pallat parafabrikat, i marrë me qira nga shtetasit Haki Tarja dhe Fuat Zaimi, të dy të arrestuar. Agjentët e policisë kanë konstatuar hyrje-dalje të shpeshta të Zaimit në këtë apartament.
Dyshimet për përfshirjen e Zaimit në trafik janë konfirmuar pas një udhëtimi të tij në 9 Nëntor 2017 në SHBA, ku ai është tradhëtuar nga materialet e memorizuara në telefonin e tij.
Sipas prokurorisë, gjatë kontrolleve në këtë vend, në celularin e tij janë gjetur fotografi kartash identiteti, pasaportash, ndërsa në Whatsapp janë gjetur biseda me persona të ndryshëm, të cilët interesoheshin për mënyrën se si mund të emigronin në SHBA ose Angli.
Përmes hetimeve të mëtejshme, vëzhgimeve ambientale dhe përgjimeve telefonike janë provuar kontaktet mes të dyshuarve dhe shkëmbimi i të dhënave personale të shtetasve të ndryshëm me qëllim prodhimin e dokumenteve false./abcnews.al