Tabaku: Qeveria mashtron për Borxhin Publik

schedule13:55 - 16 Tetor, 2019

schedule 13:55 - 16 Tetor, 2019

Një vit më pas Partia Demokratike nuk merret me optimizmin e kryeministrit për çka do të ndodhte gjatë 2019-s por i vë përballë të tjera shifra treguese për borxhin publik që ka deklaruar qeveria në 2018.

“Qeveria ka vazhduar të gënjejë shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare duke pohuar se kanë ulur borxhin publik, në 67.2%.E vërteta  është se borxhi publik është 71.6% dhe ky sërish nuk është borxhi real përfundimtar, pasi aty nuk është përfshirë  borxhi 2,2 miliardë euro nga PPP-të korruptive. Nëse do të llogariteshin në mënyrën e duhur dhe sipas standardeve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, atëherë vlera reale e Borxhit Publik do të ishte 81%”.

Demokratët thonë se i janë referuar Raportit të Kontrolli të Lartë të Shtetit që  tregon se qeveria ka gënjyer dhe manipuluar të dhënat e buxhetit të shtetit, duke fshehur  610 milionë Euro borxh- thekson ish deputetja Jorida Tabaku.

“Kjo do të thotë se çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë 200 euro shtesë vetëm prej borxhit të fshehur të Edi Ramës”.

Nga selia blu publikohen borxhet e fshehura që sipas demokratëve janë:

Detyrimet për investime, vendime gjyqësore etj janë rreth 173 milionë euro.

Detyrimet për rimbursimin e TVSH janë rreth 169 milionë euro.

Borxhe për tatim fitim ndaj biznesit 124 milionë euro.

Detyrime gjyqësore në avokaturën e shtetit, po ashtu 124 milionë euro. Dhe Detyrime gjyqësore ndërkombëtare 26 milionë euro.

Totali  i borxhit të paraportuar sipas Partisë Demokratike rezulton të jetë vetëm gjatë vitit të kaluar 600 milionë euro./ABC News Albania