Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se nuk është e qartë nëse droni që u rrëzua në Rumani ishte i prodhuar ose i operuar nga Rusia, duke lënë të kuptohet se ai mund të ketë qenë një mjet ajror pa pilot i Ukrainës. Sipas tij, mbetjet e dronit duhet t’i dorëzohen Rusisë për një hetim të pavarur.
Më herët, autoritetet rumune njoftuan se një dron goditi një ndërtesë banimi në juglindje të vendit, duke plagosur dy persona gjatë një sulmi ajror rus ndaj objektivave në Ukrainën fqinje.
Si reagim ndaj incidentit, presidenti rumun Nicușor Dan njoftoi dëbimin e konsullit rus në Konstancë dhe mbylljen e konsullatës ruse në këtë qytet. Ai bëri të ditur gjithashtu se Rumania ka arritur marrëveshje me aleatët e NATO-s për vendosjen e përkohshme të pajisjeve shtesë të mbrojtjes ajrore në territorin e saj deri në modernizimin e sistemeve kombëtare.
Moska reagoi menjëherë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se kundërmasat ndaj vendimit rumun “nuk do të vonojnë”, ndërsa hodhi poshtë akuzat për përfshirje ruse në incident. Sipas saj, nuk është paraqitur asnjë provë që dronët rusë kanë fluturuar mbi territorin e vendeve të Bashkimit Evropian.
NATO dënoi atë që e cilësoi si sjellje të papërgjegjshme të Rusisë dhe ritheksoi se do të mbrojë “çdo pëllëmbë të territorit të aleancës”. Autoritetet rumune deklaruan se droni ishte pjesë e një grupi prej 43 dronësh të drejtuar drejt objektivave në Ukrainë.


