Sulmi në Kapitol, arrestohet kreu i një prej organizatave kryesore të ekstremit të djathtë

schedule10:31 - 14 Janar, 2022

schedule 10:31 - 14 Janar, 2022

Themeluesi dhe udhëheqësi i Oath Keepers, një nga organizatat kryesore të së djathtës ekstreme në Shtetet e Bashkuara, është arrestuar si një nga organizatorët kryesorë të sulmit  në Kapitol, sipas një njoftimi të  Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së.

Stuart Rhodes, 56 vjeç dhe dhjetë anëtarë të tjerë të organizatës u proceduan penalisht dje për “kryengritje”. Kjo është akuza më e rëndë e deritanishme ndaj pjesëmarrësve në sulmin në selinë e Kongresit, më 6 janar 2021.

Nëntë prej tyre tashmë janë arrestuar dhe po përballen me ndjekjen penale për “krijimin e një organizate kriminale” me qëllim pengimin e një procesi formal apo nxitje të dhunës. Sipas aktakuzës, Stuart Rhodes “bashkëpunoi” me disa prej të akuzuarve të tij “me qëllim parandalimin e transferimit paqësor të pushtetit”, kryesisht “përmes përdorimit të forcës”.

“Ata organizuan protestat nga i gjithë vendi në Uashington, ishin të pajisur me të gjitha llojet e armëve, ishin të veshur me rroba ushtarake”, theksohet në dokument.

Në momentin e sulmit, Stuart Rhodes, një ish-ushtar që themeloi Oath Keepers në 2009, ishte afër Kapitolit, por nuk është e sigurt që nëse ai hyri brenda ndërtesës. Përveç Rodosit, forcat e rendit arrestuan sot në Arizona edhe një tjetër anëtar të së djathtës ekstreme, 63-vjeçarin Edward Vallejo.

/abcnews.al