Studentët e universiteteve në rrethe përshkallëzuan protestën

schedule15:12 - 12 Dhjetor, 2018

schedule 15:12 - 12 Dhjetor, 2018

Studentët në Korçë, Shkodër, Elbasan përshkallzuan protestën e tyre këtë të mërkurë. Ata bllokuan rrugët nacionale si dhe denoncuan stafet pedagogjike që pengonin gjimnazistët t’i bashkoheshin protestës.

Shkodër – Për më shumë se tre orë tubim studentët e Shkodrës marshuan përmes qytetit duke u bërë thirrje banorëve dhe gjimnazistëve. Ata  u ndalën edhe para ndërtesës së njërit nga gjimnazet. Aty stafi pedagogjik kishte penguar nxënësit t’i bashkoheshin protestës.

“Studentët nuk duan negociata sepse nuk mund t’i besojnë një manipulatori, një njeriu që shfrytëzon rininë për qëllime të veta”, u shpreh një student.

“Do bashkangjitemi me Tiranës sepse atje është lufta”, u shpreh një tjetër.

Korçë – Gjatë pesë orëve protestë në qytetin e Korçës studentët arritën të bllokonin dy rrugët nacionale, atë të Korçë-Pogradec dhe Korçë–Kapshticë.

Më pas ata u informuan për presionet në gjimnaze dhe protestuan para godinave denoncuar hapur mësuesit që penguan nxënësit të protestonin bashkë me ta. Studentët e Korçës ishin të parët këtë të mërkure që nisën protestën para godinës së universistetit për të marshuar më pas drejt bulevardit “Republika”. Më herët drejt Tiranës ishin nisur dy autobusë me studentë që do të qëndrojnë në protestën e kryeqytetit.

Gjirokastër – Në Gjirokastër pati rritje të numrit të studentëve që protestuan. Këtë të mërkurë u boshatisën auditoret dhe protestuesve të ditëve më parë, iu janë bashkuan edhe studentë të tjerë. Ata u grumbulluan para godinës së universitetit dhe qëndruan në heshtje për tre-katër orë.

Vlorë – Studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë u kërkuan edhe studentëve të tjerë të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen atyre.

“Nuk ka dialog, dialogu ynë është në shesh. Jemi kërcënuar, por ne nuk kemi frikë.  Bashkohuni me ne, jo politikë”, janë parrullat e tyre.

Elbasan – Studentët e Elbasanit mbajtën për rreth 3 orë të bllokuar rrugën Elbasan-Tiranë. Fillimisht u grumbulluan para Korpusit të Universitetit dhe më pas marshuan në bulevardin e qytetit.

Autostrada Elbasan-Metalurgji u bllokua në vendin e njohur si “Rrethrrotullimi i luleve”. Por kur konstatuan se automjetet po qarkullonin nga rruga e vjetër, studentët ecën mbi 6 kilometra në këmbë dhe bllokuan rrugën Elbasan-Tiranë tek rrethrrotullimi i Bradasheshit./abcnews.al

Gazetar i ABC News në Shkodër: Simon Shkreli

Gazetar i ABC News në Korçë: Daniela Zisi

Gazetar i ABC News në Gjirokastër: Orges Sako

Gazetar i ABC News në Vlorë: Elton Nika

Gazetar i ABC News në Elbasan: Fatos Salliu

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!