Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi ndaj protestës në bulevard, duke publikuar skedën penale të një prej organizatorëve që ai e cilëson si pjesë e “13 flamurtarëve” të tubimit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama pretendoi se protesta është marrë peng nga elementë me precedentë të theksuar kriminalë, nën maskën e lëvizjes “Shqipëria e Re”.
Sipas të dhënave të publikuara nga kreu i qeverisë, personi në fjalë rezulton i proceduar plot tetë herë midis viteve 2014 dhe 2022 për vepra si rrahje, vjedhje energjie, dhunë në familje dhe kanosje.
Me këtë denoncim, kryeministri kërkon të dëshmojë se profilizimi i disa prej eksponentëve kryesorë të tubimit nuk përkon me kauzat legjitime qytetare.
“NJIHUNI ME kontributin mbresëlënës për atdheun të njërit prej 13 flamurtarëve firmëtarë të protestës së bulevardit, ku sorrat dhe korbat i kanë marrë përfundimisht peng flamingot, nën maskën e “Shqipërisë së Re”:
I proceduar:
– 2014 – Rrahje në bashkëpunim, Tiranë
– 2016 – Vjedhje energjie, Tiranë
– 2016 – Rrahje në dëm të një shtetaseje, Tiranë
– 2017 – Rrahje në grup, Durrës
– 2019 – Pjesëmarrje në protestë të paligjshme, pengim qarkullimi I automjeteve, pengim i IMT per prishjen e ndertimit te paligjshëm, Vlorë
– 2020 – Kanosje & plagosje e lehtë, Vlorë
– 2021 – Kanosje ndaj një shtetaseje grua, Vlorë
– 2022 – Dhunë në familje ndaj xhaxhait të tij, Vlorë”, shkruan Rama.



