Soreca dorëzon progres-raportin te Rama

schedule18:27 - 29 Maj, 2019

schedule 18:27 - 29 Maj, 2019

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian duken të bashkuar në këtë ditë. Kjo shihet nga mesazhet përtej ekranit, por edhe nga komunikimi jo publik i ambasadorit Luigi Soreca dhe kryeministrit Edi Rama.

Kanë një takim së bashku. Ambasadori i delegacionit evropian në Tiranë e përshkon rrugën drejt kryeministrisë për t’i dorëzuar të njëjtën përgjigje që i dhanë edhe një vit më parë, rekomandojnë çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Siç e kërkon protokolli, ambasadori i delegacionit Evropian të Shqipërisë Luigi Soreca ia jep në duar kryeministrit Edi Rama progres-raportin e bërë publik nga Komisioni Evropian. Në fillim të fjalës folën me optimizëm për gjysmën plotë të gotës.

“Vettingu ka ecur përpara, ka avancuar duke nxjerrë në më shumë se 140 vendime”, tha Soreca.

“E pres me kuriozitet vendimin ku do i kërkohet vendeve të tjera të rajonit edhe atyre që po negociojnbë që të bëjnë po të njëjtën gjë. Që të bëjnë Vettingun e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve ama me monitorim ndërkombëtar kushtetuese ditën kur një vend tjetër do ta fusë në Kushteutë ONM më lajmëroni që do jetë një ditë e bukur për mua”, tha Rama.

Pa harruar se ka edhe një gjysmë bosh që duhet mbushur me progresin që i kërkohet Shqipërisë të arrijë.

“Nevoja për një konsensus kombëtar për prioritetin madhor të integrimit evropian duke tejkaluar kështu polarizimin dhe duke treguar vullnet politik të fortë për të kaluar përtej ndasive partiake”, tha Soreca.

“Por unë mendoj që me ndihmën e opozitës rrugore ne mund t’ia dalim plotësisht”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama është i vetëdijshëm se hapi i radhës drejt çeljes së negociatave nuk është i lehtë, pasi vlerësimi nuk është më teknik, por politik. Dhe këtu i duhet të thyejë rregullin e tij që të flasë në gjuhë të huaj për opozitën.

“Përkthyesi të mos përkthejë nga unë në gjuhë të huaj për opozitën, ama një gjë është e sigurtë nga raporti dhe këtë e kam apel për Lulzim Bashën dhe për atë pjesë të opozitës që është rrugëve deri në momentin e vendimmarrjes nga KiE është mirë që të mendojmë për Shqipërinë jo për partinë”, tha Rama.

E ka ftuar 6 herë për të dialoguar nëpërmjet letrave publike, nuk mohon se do ta vazhdojë këtë mënyrë komunikimi virtual.

“Thonë nuk ka 6 pa 7 dhe nuk e di por mbase do të ketë dhe një të shtatë”, tha Rama.

Një falenderim i dërgon presidentit Ilir Meta për dëshirën e shprehur për t’i ulur në tryezë palët kundërshtare, por i kërkon të mos sakrifikojë veten për shtyrje të zgjedhjeve sepse nuk do të ketë.

“Ne nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar”, tha Rama.

E për t’u rikthyer tek tema e ditës, kryeministri Rama ka nxjerrë disa konkluzione mbi shkaqet që kanë vonuar çeljen e negociatave.

“Nëse opozita rrugore do të ndalonte dhe të mrrte frymë dthellë dhe t’i jepte një shans Shqipërisë, 1005 Shqipëria do të hapte negociatat. I vetmi element i panjohur në këtë ekuacion është opozita në rrugë”, tha Rama.

I druhet opozitës jashtë parlamentit se do të bëjë çmos që disa vendeve të Bashkimit Evropian të mos i lejojë të ngrenë dorën në qershor për t’i thënë po çeljes së negociatave me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!