Skënderbeu shkëputet nga ndjekësit

schedule16:24 - 4 Shkurt, 2018

schedule 16:24 - 4 Shkurt, 2018

Flamurtari mbeti më prapa me kreun e renditjes në Superligë pas barazimit në fushën e Kukësit. Skënderbeu, ndërkaq, nuk gaboi në ndeshjen e luajtur në fushën e Vllaznisë.

Ishte e kryesuesve java e 18-të e Superligës.

Korçarët fituan në Shkodër ndeshjen, që sipas kalendarit duhej të ishte në fushën e tyre, ndërsa Kukësi i hoqi fitoren nga duart Flamurtarit vetëm pesë minuta para fundit.
Rezultatet 4-1 dhe 1-1, përkatësisht në Shkodër e në Kukës, bënë që Skënderbeu të ngjitej në kuotën e 40 pikëve ndaj 32 të Flamurtarit, ndërsa Kukësi të mbetej në vendin e tretë me 29.
Skënderbeu-Vllaznia në “Loro Boriçi” pati surprizën e vetme, kur shkodranët kaluan në epërsi me anë të Berishës në minutën e 6-të, por të besuarit e trajnerit Ilir Daja nuk është se u tronditën.

Shënuan radhazi në minutat 32-të me Vangjelin, 61-të me anë të Lilajt me penallti, Muzakës në 75’ dhe Xhejmsit dy minuta para fundit.
Epërsi e plotë e kryesuesve, ndërsa Daja mendon se ekipi po kap formën e gjysmës së parë të sezonit luajtur në 2017.
Suksesi i thellë dhe i merituar ishte një reagim pas humbjes së papritur në fushën e Luftëtarit.

Në “Zeqir Ymeri” të Kukësit, ndeshja ishte shumë e fortë, por ndoshta jo aq shumë tërheqëse.
Danilo Alvesh shënoi një tjetër gol, pas atij ndaj Partizanit në Kupë, duke kaluar vlonjatët e Duros në epërsi në 41’.
Kuksianët e Pakultit u përpoqën shumë, ndërsa kishin goditur shtyllën më herët.

Në 83’, Bakaj shfrytëzon një 11-metërsh për të barazuar rezultatin, ndërsa miqtë patën më përpara një rast shumë të mirë për 2-0.
Barazim pa gola dy ndeshjet e tjera.

Lushnja e rilindur pas barazimit në Durrës, u mbaj në barazim 0-0 në fushën e saj ndaj Luftëtarit në formë, dhe po 0-0 doli takimi Laçi-Teuta.
Në vendet e fundit të tabelës, Vllaznia rrezikon gjithnjë e më shumë rënien nga kategoria, dhe po ashtu Teuta, ndërsa lushnjarët nuk duan që të dorëzohen./abcnews.al