Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar ndryshime të rëndësishme në vitet e fundit, duke veçuar zhvillimin ekonomik, rritjen e numrit të udhëtarëve dhe luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij në New York, gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama u ndal te aeroporti i Tiranës, duke theksuar se prej disa vitesh ai ka numrin më të madh të udhëtarëve në rajon.
Kryeministri u shpreh se këto zhvillime nuk janë të lehta për t’u pranuar nga të gjithë, duke theksuar se “ka forca që nuk kanë qejf të na shohin kështu”.
Rama foli edhe për luftën kundër korrupsionit, duke deklaruar se ajo duhet të zhvillohet çdo ditë. Sipas Ramës, Shqipëria po hyn në një fazë ku korrupsioni nuk mund të jetë më pjesë e funksionimit të përditshëm të vendit.
“Është viti i pestë a i gjashtë që kemi aeroportin më të madh në rajon, duke qenë shumë i madh jo vetëm në terma relative, por edhe në shifra absolute, me më shumë udhëtarë se aeroporti i Beogradit, që ka qenë më i madhi në rajon. Kjo nuk është e thjeshtë që ta përtypin të gjithë. Kush është Shqipëria që të rritet dhe të tregojë këtë kapacitet për ndryshim? Ka forca që nuk kanë qejf të na shohin kështu.
Nuk po them që nuk kemi probleme. Ne shqiptarët, atë çfarë e shohim si problem, partnerët europianë e shohin si sukses. A mund të ketë një vend më shumë korrupsion në rast se korrupsioni luftohet çdo ditë? Lufta kundër korrupsionit të ndodhë çdo ditë. Jo, nuk është.
Sot, sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitet ndaj korrupsionit. Nuk është fjala thjesht për një udhëheqës apo qeveri, është për një sistem që funksionon, me gjithë nevojën për t’u rritur dhe pjekur më tej. Çdo ditë nuk është më vendi ku mund të ecësh dorë më dorë me korrupsionin.”

